Spektakël, befasi e emocione. Një mbrëmje e jashtëzakonshme në Champions League, që ka parë rikthime, surpriza e përmbysje me 10 lojtarë. Juventus ankohet me arbitrimin, por në Leipzig ka dhënë një provë force, duke mundur me përmbysje gjermanët, kur luanin në inferioritet numerik. Vlahovic fantastik me dygolëshin e tij e Conceicao brilant me veprimin që i dha suksesin bardhezinjve. Humbasin befasisht Real Madrid e Bayern Munich, po disfata më e rëndë është ajo e Atletico Madrid.
LEIPZIG 2-3 JUVENTUS
E dyta për Juventus në Champions League ishte gjithashtu e mirë. Pas fitores ndaj PSV-së, skuadra e Thiago Motta mposhti Leipzig me rezultatin 3-2 me përmbysje. Bardhezinjtë mbeten me pikë të plota në renditje. Në Red Bull Arena, një garë spektakolare dhe emocionuese. Në pjesën e parë Sesko zhbllokoi ndeshjen në kundërsulm (30′), më pas në pjesën e dytë ndodhi gjithçka. Vlahovic barazoi (50′) me një goditje të kalibruar, më pas, pas përjashtimit të Di Gregorio (59′), bardhezinjtë mbetën përsëri prapa për shkak të penalltisë së Sesko (65′), por e përmbysën rezultatin falë një magjie të Vlahovic (68′) dhe një blici të jashtëzakonshëm nga Conceicao (82′).
LIVERPOOL 2-0 BOLOGNA
Në ditën e dytë të Champions League, Bologna u dorëzua 2-0 ndaj Liverpool. Klasi i Salah ishte vendimtar në Anfield pasi egjiptiani fillimisht dhuroi një asist perfekt për Mac Allister (11′) e më pas mbylli rezultatin në minutën e 75′ me një goditje të mrekullueshme me të majtën. Skuadra e Italiano bëri një ndeshje të guximshme dhe trembi Reds me një shtyllë nga jashtë zonës dhe një traversë në pjesën e parë. Në renditje, Liverpool ka pikë të plota, ndërsa kuqeblutë kanë ngecur në një pikë.
LILLE 1-0 REAL MADRID
Humbja e parë sezonale për Real Madrid, që u befasua nga një Lille e shkëlqyer: 1-0 në Stade Pierre-Mauroy, në një klimë përvëluese. Genesio i besoi lojtarëve të rinj dhe promovoi mesfushorin Bouaddi, një talent i lindur në vitin 2007 që çmendi kundërshtarët me teknikën e tij dhe e mbylli si MVP. Me Mbappe të dëmtuar në pankinë, Ancelotti provoi me falso nueve Bellingham, me Vinicius e Endrick nga jashtë, por lëvizja nuk funksionoi. Anglezi dhe, me të, Real nuk ishin kurrë të rrezikshëm. Lille e shfrytëzoi këtë, duke vendosur me golin e Jonathan David. Në pjesën e dytë Ancelotti provoi me katër sulmues, duke futur Mbappé dhe Arda Guler, por skuadra e tij nuk depërtoi. Chevalier mbrojti portën e Lille, që mori tre pikë të arta: barazohet me Realin (ndër të tjera) me 3 pikë. Një humbje e papritur për Blancos që duhet thënë se nuk kishin bindur 100% as ndaj Stuttgart.
ASTON VILLA 1-0 BAYERN MUNICH
Ribërja e finales së Kupës Evropiane 1981/82, e fituar nga Aston Villa, shkon pikërisht për vendasit: një Villa Park festues gëzohet, duke dëshmuar fitoren 1-0 ndaj Bayern Munich. Villans shënuan me Rogers, por goli i minutës së 20′ u anulua. Skuadra e Emery luftoi për çdo top dhe e mbajti ndeshjen të hapur deri në minutat e fundit. Këtu ishte vendimtar kolumbiani Jhon Duran, siç ka ndodhur shpesh këtë vit. Sulmuesi i ri, i cili refuzoi Chelsea dhe West Ham për të qëndruar në skuadrën e Emery, pati impakt si një super-zëvendësues. Gjeniale lëvizja e tij ndaj Upamecano dhe mënyra si nuk i la asnjë shans Neuer gjithashtu. Nga 9-2 ndaj Dinamo Zagreb në humbjen në transfertë: Bayern bie, duke u ndalur në tre pikë. Aston Villa kryeson tabelën me gjashtë pikë: krahas saj janë Borussia Dortmund, Brest, Benfica, Bayer Leverkusen, Liverpool dhe Juventus.
League Stage Champions League
Girona 2-3 Feyenoord
Shakhtar Donetsk 0-3 Atalanta
Aston Villa 1-0 Bayern Munich
Benfica 4-0 Atletico Madrid
Dinamo Zagreb 2-2 Monaco
Lille 1-0 Real Madrid
Liverpool 2-0 Bologna
RB Leipzig 2-3 Juventus
Sturm Graz 0-1 Club Brugge