Raphael Dwamena ndërroi jetë në spitalin e Rrogozhinës, ku u transportua me urgjencë nga stadium. Ganezi u rrëzua në fushë, në minutën e 24’ gjatë ndeshjes mes Egnatias dhe Partizanit. Me gjithë përpjekjet për të shpëtuar jetën e sulmuesit, ishte e kotë. Takimi u ndërpre përfundimisht dhe të gjithë lojtarët e Egnatias u mblodhën te spitali ku mësuan edhe lajmin e trishtë.
Videot e publikuara të momentit që ambulanca me trupin e pajetë të Raphael Dwamena u nis drejt spitalit të Durrësit kanë imazhe prekëse. Futbollistët e Egnatias janë në dënesë dhe dëgjohen edhe rënkimet e tyre, të pangushëllueshëm për faktin se kanë humbur në këtë mënurë kapitenin e tyre.
Kapiteni i rrogozhinasve u shemb pa ndjenjë përtokë, gjatë ndeshjes mes dy skuadrave kryesuese të kampionatit, duke tronditur gjithë stadiumin dhe lojtarët në fushë. Në minutën e 24′ të ndeshjes së javës së 13, kur pritej të rifillonte loja pas një kontrolli me VAR, sulmuesi ganez ra pa ndjenja në fushën e lojës.
Përmes një komunikate zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit është bërë e qartë se futbolli në vend do të ndalet. Asnjë ndeshje e fundjavës nuk do të zhvillohet, për të repsektuar dhimbjen e madhe të familjarëve e miqve të Dwamena dhe për të lejuar pak qetësi për të gjithë ata që u bënë dëshmitarë të një tragjedie në fushë.