Pak orë përpara nisjes së seancës plenare dhe protestës së thirrur nga opozita, Policia e Shtetit ka marrë masat e sigurisë në dhe rreth Kuvendit.
Forcat e policisë janë vendosur në hyrjet e Parlamentit, të pajisura me mjete mbrojtëse, përfshirë mburoja dhe fikëse zjarri. Sipas burimeve, rreth 1500 efektivë janë vënë në gatishmëri për mbarëvajtjen e protestës.
Protesta e Partisë Demokratike pritet të zhvillohet si jashtë, ashtu edhe në ambientet e Kuvendit, si kundërshtim ndaj qëndrimit të mazhorancës për të mos miratuar arrestimin e Belinda Ballukut.
Që një natë më parë, policia ka rrethuar godinën e Kuvendit me barriera metalike. Pas tyre është ngritur një kordon sigurie me forca të Rendit, si edhe me efektivë të ndërhyrjes së shpejtë. Në brendësi të perimetrit të sigurisë janë vendosur gjithashtu mjete me ujë me presion dhe pajisje zjarrfikëse.
Ndërkohë, autoritetet kanë njoftuar se nga ora 06:00 e mëngjesit dhe deri në përfundim të tubimit do të kufizohet qarkullimi në rrugën “George W. Bush”. Policia ka paralajmëruar se, në varësi të zhvillimit të protestës, mund të ketë kufizime edhe në akse të tjera, ndërsa qytetarëve u është kërkuar të përdorin rrugë alternative.