“Gjeorgjia ka marrë një fitore të thellë, por ne do ta respektojmë kundërshtarin. Nuk do të kemi frikë, do të kemi një stadium plot me tifozë, i falënderoj. Ndeshja me Ukrainën ka mbaruar, shpresoj dhe besoj të bëjmë pikë nesër”. Kristjan Asllani është i motivuar, gati dhe flet si lider në konferencën për shtyp të vigjiljes së ndeshjes me Gjeorgjinë. “Është e vërtetë që kemi luajtur unë dhe Ramadani, por unë gjendem mirë me të gjithë lojtarët. Objektivi ynë është vetëm skuadra dhe mendojmë vetëm të bëjmë pikë për Kombëtaren, tifozët dhe për të gjithë ne shqiptarët”.
Për koincidencë, ndeshja e parë si titullar e Asllanit ishte pikërisht me Gjeorgjinë në miqësoren e vitit 2022: “Kanë kaluar dy vite, por ky viti i fundit ka qenë shumë i mirë për Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët me pjesëmarrjen në Europian. Besoj se kemi bërë mirë, e kemi rritur nivelin e Kombëtares. Tani kemi një grup të fortë, kemi ndeshje të forta dhe duhet të vazhdojmë ta rrisim nivelin e kombëtares”.
Asllani nuk është nga ata që fshihen kur vjen puna te objektivët dhe mesfushori i Inter e ka të qartë: “Nesër presim Gjeorgjinë, një ekip që po rritet dhe po bën futboll të bukur. Dhe Çekia, me të cilët kemi luajtur. Një skuadër e fortë dhe shumë fizike. Objektivi ynë është sigurisht Botërori, por për momentin jemi të fokusuar te Gjeorgjia nesër – sqaroi Asllani që pastaj e mbylli me një batutë -. Më mirë fitojmë me një gol me goditje të Manaj se timin me penallti”.