Natë frike për Mario Balotelli. Sulmuesi i skuadrës turke Adana, aktualisht i dëmtuar, ka dalë nga rruga duke u përplasur fuqishëm. Si pasojë makina e tij, një Audi e zezë, u shkatërrua në via Orzinuovi në Brescia, por Balotelli doli fatmirësisht i padëmtuar. Gjithësesi ajo që ra në sy ishte se lojtari po lëkundej kur zbriti nga mjeti, rreth orës 20:30 të mbrëmjes së djeshme.
Të gjithë airbag-ët në makinën Audi të sulmuesit shpërthyen dhe SuperMario u desh të mjekohej për këtë. Sipas asaj që raportohet nga Il Giornale di Brescia, Policia lokale u përpoq t’i bënte atij një test alkooli. Balotelli refuzoi ta bënte, pasi më parë rezultoi pozitiv në testin para-alkoolik. Sulmuesit të Adana, më pas, iu hoq patenta e drejtimit të makinës, të cilën për më tepër nuk e kishte me vete në momentin e aksidentit.