Nuk ka hakmarrje për teknikun Nevil Dede. Ish ekipi i tij Elbasani ka dalë fitues në debutimin e teknikut në pankinën e Bylis. Vendosi Lleshi me golin në pjesën e dytë, duke kthyer verdheblutë mes ekipeve pretendente në Superiore. Dede, që nuk është ndarë qetësisht me Elbasanin ende pa nisur sezoni, nuk ka mundur dot të marrë rezultat në ndeshjen e luajtur në “Adush Muça”.
Shumë kartonë të verdhë e kontraste në fushën e lojës, që tregonte se të dy ekipet dëshironin fitoren. Pas largimit të Egbo, në ndeshjen e parë në pankinën e Bylis, Dede u dorëzua ndaj golit të minutës së 76’ nga Lleshi, pak minuta pasi sulmuesi ishte aktivizuar në fushën e lojës. Në Ballsh u luajt me ritëm të lartë, sidomos në pjesën e parë, por para portës askush nuk kishte qetësinë e duhur për të bërë keq.
Në pjesën e dytë shansin më të mirë për mallakastriotët e kishte Sulovari, që mori vendin e Gjatës, por traversa i mohoi golin lojtarit të Bylis. Shpëtoi Elbasani dhe Bordin e kuptoi se ndoshta mund të merrte më shumë nga kjo ndeshje. E në fakt, Lleshi me një goditje të saktë me kokë, në zhvillimet e një goditje këndi, vulosi fatin e kësaj sfide.
Kështu, Elbasani ngjitet në vendin e tretë, në shoqërinë e Partizanit dhe vetëm 1 pikë pas Vllaznisë kryesuese. Verdheblutë e Bordin vazhdojnë të tregojnë se duan të jenë në zonën e Final Four, ndërsa Bylis mbetet në zonën e ftohtë të renditjes, si kandidatë për rënien nga kategoria, me vetëm 5 pikë pas 7 javësh.