Në vijën e hollë e të kuqe mes Europës dhe rënies nga Kategoria, Kukësi nuk ka shkuar më shumë se një 0-0 përballë Vllaznisë. Skuadra e Hallaçit e kishte fondamentale të evitonte humbjen, por për zonën europiane kishte nevojë për një fitore. Një fitore që në javën e 29 të Superiores ia mohoi VAR. Dy gola të anuluar, të dy për pozicion jashtë loje tërbuan Hallaçin, që duhet të kënaqet me një pikë.
Kukësi dhe Vllaznia ndanë kështu pikët në barazimin 0-0 në “Kukës Arena”. Goce Sedloski, në ndeshjen e dytë në pankinë, ruan pozitat me vështirësi, por tashmë titullin duhet ta fshijë nga idetë. Vllaznia rrezikoi shumë në Kukës, ndaj vendasve të motivuar. Mungesat e forta të Hallaçit nuk e dekurajuan teknikun dhe skuadra nuk e reflektoi. Pa Abdu, Martinez, Barbosa, Hasaj e Dragoshin Kukësi është munduar të bëjë lojën e tij.
TË ‘PENALIZUAR’ NGA VAR
Një ndeshje e privuar nga emocione të mëdha me skuadrat që mendonin më shumë të mos pësonin se të shënonin. Mbrojtjet e kujdesshme dhe daljet përpara me pak lojtarë reflektonin edhe shanset e pakta të krijuara. Zogoviç dhe Tafas ishin pak herë të thirrur në cështje në këtë takim. Kukësi megjithatë ka rezervat më të mëdha, i penalizuar nga dy ndërhyrje të VAR që anuluan dy gola për pozicion jashtë loje.
Në minutën e 71 Ebert shënoi në zhvillimet e një goditje këndi, por sipas teknologjisë, ishte më i avancuar se të tjerët. Veri lindorët shënuan sërisht në shtesë të plotë me Johnson, që mbërriti i pari në topin e grushtuar nga portieri pas goditjes së Taipit. Edhe këtë herë VAR e konsideroi në pozicion të paregullt sulmuesin. 42 pikë për Vllazninë, në vendin e katërt, ndërsa Kukësi ngjitet në 36, i shtati, por vetëm një nga zona playout.