Video/ Dinamo kampione dimri, thyen për herë të parë Egnatian: Tetova gabon strategji

Dinamo e mbyll vitin 2024 në krye të tabelës së Kategorisë Superiore, duke siguruar një fitore me peshë kundër kampionëve në fuqi, Egnatias, me rezultatin 2-1. Ky sukses i jep bluve jo vetëm statusin e “kampionëve të dimrit,” por edhe konsolidon pozitat e tyre si pretendentë seriozë për titullin kampion.

Skuadra e Ilir Dajës nuk e pati të lehtë përballjen, pasi Egnatia u shfaq shumë kërkuese, duke ushtruar presion të vazhdueshëm në afërsi të zonës së Dinamos. Megjithatë, cilësia individuale e lojtarëve të bluve bëri diferencën, duke nxjerrë në pah një skuadër që di të shfrytëzojë momentet e duhura për të zgjidhur ndeshjet. “Besoj se kemi merituar ngritje si në rikuperim pikësh, pozicionesh e loje – analizoi tekniku -. Përballë kishim Egnatian që dihet se është ndër më të mirat, ku përveç kontingjentit një pjesë e lavdërimeve duhet t’i shkojë edhe Tetovës për punën. Është një ndeshje ndaj një ekipi që nuk kishim fituar më parë sa i përket statistikave”.

NANI NUK NDALET MË
Goli i parë i Dinamos erdhi në pjesën e parë, kur Mandela shfrytëzoi një moment të artë për të mposhtur portierin Dobjani dhe për t’i dhënë skuadrës avantazhin. Në pjesën e dytë, Zabërgja tregoi klasin e tij, duke kaluar me lehtësi mbrojtësit e fortë Veseli dhe Xhemajli, për të asistuar në mënyrë perfekte Nanin, i cili dyfishoi rezultatin. “Kemi sulmin më të mirë se kemi golashënues si Itodo dhe Zabërgja me 8 gola – tha tekniku Ilir Daja pas ndeshjes -. Kemi të tjerë që nuk kanë luajtur me dëmtime, Bregu e Nani me nga pesë. Kjo është dhuratë që lojtarët i bëjnë vetes së tyre për punën që nga fillimi i fazës, dhuratë për presidentin dhe drejtuesit që kanë investuar goxha e janë superkorrektë. Ia bëjnë edhe stafit se bashkë me lojtarët kemi qenë gjatë gjithë kohës me intensitet maksimal pune”.

VETËM NDRECA NUK MJAFTON
Egnatia nuk u dorëzua dhe intensifikoi sulmet, sidomos pas hyrjes në lojë të Kasës. Ky i fundit bëri diferencën në ofensivë, duke dhënë një asist të shkëlqyer për Ndrecën, i cili realizoi golin që rihapi ndeshjen. Megjithatë, në minutat e fundit, Dinamo tregoi një organizim të shkëlqyer në mbrojtje, duke përballuar çdo përpjekje të kundërshtarit dhe duke ruajtur avantazhin. “Nuk mendoj se u vendos ndeshja nga detajet – tha Edlir Tetova, tekniku i rrogozhinasve -. Mendoj se ishim më shumë në zotërim të lojës, mendoj më shumë nga dy tranzicione që i kishim përgatitur për të bërë faull, se sulmi i Dinamos ka shpejtësi. Por kështu ndodhi dhe e pësuam, mendoj se reaguam, edhe në pjesën e parë dhe të dytë, ishim para portës, por pa ia dalë. Topi apo pasi i fundit mungoi te lojtarët, ndaj duhet ta pranojmë.

Dinamo me këtë fitore, jo vetëm që vulos një fundvit të suksesshëm, por edhe dërgon një mesazh të qartë për rivalët: skuadra e Dajës është e vendosur të luftojë deri në fund për trofeun më të madh të futbollit shqiptar. “Kampion Dimri”? Besoj që kjo periudhë kampionati na vlen pak, që të rigjenerojmë pak anën fizike dhe psikologjike se lojtarët kanë pasur ngarkesë. Nuk mendoj se çfarë do të ndodhë në fund të kampionatit, ne duhet të përmirësohemi në vazhdimësi, ndaj të marrim gjërat siç i kemi marrë, të fokusohemi për t’u përmirësuar dhe pastaj për të parë ndeshjen e radhës në janar”.

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top