Një tjetër gol brilant i talentit Mehdi Çoba dhe Vllaznia rrëmben tre pikët me përmbysje ndaj Elbasanit, në javën e 17-të të Superiores. Kuqeblutë e Brdaric kthehen te fitorja në stadiumin “Loro Boriçi”, duke u imponuar 1-2, por jo më parë se të frikësoheshin nga goli i Qaqit. Pastaj gjërat ndryshuan në pjesën e dytë kur Dodaj dhe Çoba kthyen rezultatin që i bashkon shkodranët me Dinamon në vendin e tretë.
Debutimi i Ivan Gvozdenovic u duk të ishte i suksesshëm, kur Elbasani goditi në minutën e 35’. Qaqin shënoi me kokë, duke u pozicionuar mes mbrojtësve statikë të Vllaznisë. Një avantazh që mbeti në fuqi deri në fund të pjesës së parë të sfidës, pavarësisht tentativave jo me shumë bindje të vendasve.
Pas dy humbjeve radhazi një e tretë do të ishte e tepërt dhe Brdric e kishte mjaft të qartë. Kështu, të tijtë u futën në fushë krejt ndryshe dhe në portën e Abalorës nisën të shfaqeshin gjithnjë e më shumë fanella kuqeblu. E në minutën e 63’ Dodaj barazoi rezultatin, duke shënuar me kokë në krosimin nga e djathta. 1-1 shkundi të dy skuadrat që u munduan të fitonin ndeshjen. Diferencën e bëri ftohtësia e talentit Çoba, që i vetëm me portierin e mposhti me një prekje precize në minutën e 81’.
Elbasani mund të kishte barazuar, por Tsague dhe Greca nuk arritën të kalonin portierin Qarri. Me këtë fitore, Vllaznia forcon pozitat në katërshe dhe kthehet në garë për kreun e Superiores, duke shkuar në kuotën e 28 pikëve, aq sa Dinamo. Në krahun tjetër, Elbasani mbetet me 21 pikë në vendin e 5-të.