Video/ Çmenduri në derbi, dy gola në shtesë: Mensah i jep fitoren Partizanit, Tirana ndalet nga shtyllat

Kryeqyteti ngjyroset me të kuqe. Partizani triumfon 2-1 në një derbi spektakolar përballë Tiranës, duke e kaluar në renditje. Një pjesë e dytë e çmendur, ku Tirana u ndal nga shtyllat, ndërsa në shtesë u shënuan dy gola. Maguette zhbllokoi ndeshjen, por Hasani barazoi në minutën e 91′. As koha për të festuar, sepse Mensah devijoi 60 sekonda më vonë, golin që vulosi rezultatin. Partizani tani është i dyti, dy pikë pas Egnatias, por ka një ndeshje tjetër për të rikuperuar.

Derbi kryeqytetas, rikuperimi i javës së gjashtë të Superiores, përligji pritjen e gjatë, me një spektakël në Arena Kombëtare. Në betejën e trajnerëve të rinj (Ahmataj i promovuar nga moshat e Abilaliaj Drejtor Sportiv) ishin lojtarët ata që morën skenën. Me ritme të larta, por pa shumë raste, Cara në minutën e 27′ kishte shansin e artë të kalonte të kuqtë në avantazh. Goditja e sulmuesit u ndal nga 19 vjeçari Abdullahu, me një zgjatje dore impresionuese. Refleks i pastër i kosovarit të ri, që ndali edhe Rrapajn. Tirana u përgjigj me Dokën, që megjithatë nuk surprizoi Hoxhën.

45 MINUTAT E ÇMENDURISË
Pas rifillimit, ishte krejt tjetër gjë. Për një stadium të tejmbushur Partizani e Tirana kërkuan ta fitonin ndeshjen, duke shfaqur gjithë potencialin e tyre goditës. E pafat Tirana dy herë e ndalur nga trarët. Abazaj e përplasi topin në traversë, ndërsa Hoxhallari shtyllën, por golin e shënoi Partizani. Maguette shënoi me kokë në zhvillimet e një goditje këndi në minutën e 77′. Goli i dytë në kampionat për mesfushorin, që shpërtheu festën në stadium.

Tirana nuk është nga ato që dorëzohen: Kaina për Jonuzin, me Ahmataj që forcoi sulmin. Edhe Abilaliaj freskoi lojtarët: Mensah, Keko e Grezda në fushë. E pavarësisht kësaj, në minutën e parë shtesë do të vijë befasia. Hasani i lënë cuditërisht vetëm në qendër të zonës ndëshkoi Hoxhën. 1-1 dhe festa ishte e gjitha e Tiranës. Sa keq që zgjati vetëm 60 sekonda, me Mensah që i ngeci britmën e gëzimit në fyt Ahmatajt. Në minutën e 92, goditja e Kekos gjeti devijimin vendimtar të Mensah për golin e 2-1.

Partizani fiton derbin e tretë në katër të fundit duke u ngjitur në kuotën e 14 pikëve. Të kuqtë kalojnë me një pikë Tiranën dhe janë -2 nga Egnatia kryesuese, të cilën mund ta kalojnë nëse fitojnë edhe ndeshjen e javës së parë kundër Teutës, që duhet ende ta rikuperojnë.

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top