Shumë gola për ekipet e mëdha në raundin e pestë të Champions League: Arsenal mund 5-1 Sporting Lisbona, ndërsa Atletico Madrid e mposht 6-0 Sparta Pragën (dygolësh për Alvarez dhe Correa). Bayer Leverkusen fiton 5-0 ndaj Salsburg, Barcelona mposht Brest 3-0. Bayern merr ndeshjen kryesore të ditës me një fitore 1-0 ndaj PSG, ndërsa kriza e Manchester City është e pafund: Guardiola udhëhoqi 3-0, por pësoi rikthimin e Feyenoord, që barazoi 3-3 në 15 minutat e fundit.
BAYERN MUNICH 1-0 PSG
Fitore minimale e Bayern Munich, 1-0 kundër PSG. Bavarezët tentojnë të imponojnë ritmin e tyre në fillim të lojës, por skuadra e Luis Enrique mbrohet mirë duke mos lënë shumë hapësira. Francezët përpiqen të shfrytëzojnë kryesisht shpejtësinë e Dembélé dhe Barcola përpara, por gjermanët dominojnë fushën. Në minutën e 38-të, skuadra e Kompany arrin të zhbllokojë rezultatin: këndore nga Kimmich dhe gjuajtje me kokë nga ish-lojtari i Napolit, Kim, pas një rrëmuje në zonë, që çon rezultatin në 1-0 (me këtë rezultat skuadrat shkojnë në pushim).
Francezët përpiqen të reagojnë në fillim të pjesës së dytë, por në minutën e 56-të ndodh episodi që ndryshon lojën: Dembélé merr kartonin e dytë të verdhë dhe PSG mbetet me një lojtar më pak. Edhe pse me epërsi numerike, gjermanët nuk arrijnë të shënojnë më, por marrin tri pikët pa shumë vuajtje. Bayern fiton dhe ngjitet në 9 pikë, ndërsa PSG mbetet në kuotën e 4 pikëve pas pesë ndeshjeve dhe është në rrezik të madh.
SPORTING LISBONE 1-5 ARSENAL
Gjithçka e lehtë për Arsenal, që shkatërron 5-1 Sportingun e Lisbonës. “Topçinjtë” vendosin praktikisht ndeshjen në pjesën e parë, me një tripletë fenomenale që hedh në tokë portugezët: në minutën e 7-të Timber asiston për Martinellin, i cili shënon për 1-0. Një situatë e ngjashme ndodh edhe në golin e dytë, por me protagonistë të ndryshëm: kësaj radhe është Saka që jep asistin për Havertz, që shënon për 2-0 në minutën e 22-të. Tripleta plotësohet pak para pushimit: në minutën e 46-të, Gabriel godet me kokë pas një këndoreje të ekzekutuar nga Declan Rice.
Vendasit hyjnë në pjesën e dytë me më shumë motivim, duke shkurtuar distancën me Gonçalo Inacio në minutën e 47-të nga një këndore. Megjithatë, impakti i tyre zgjat pak, pasi Saka rikthen epërsinë me tre gola duke shënuar për 4-1 në minutën e 65-të. Në fund, Trossard mbyll gjithçka në minutën e 82-të me golin për 5-1. Arsenal ngjitet në 10 pikë, duke kapur mes të tjerash edhe Sportingun.
BARCELONA 3-0 BREST
Një tris nga Barcelona, që mposht Brest pa shumë probleme. Pjesa e parë është plotësisht në kontroll të katalanasve, të cilët zhbllokojnë rezultatin pas vetëm dhjetë minutash: një penallti e akorduar në favor të “Culers” ekzekutohet saktë nga Robert Lewandowski. Barcelona tenton disa herë të dyfishojë me Fermin Lopez, por pjesa e parë mbyllet me një gol të vetëm diferencë. Skuadra e Eric Roy nuk ka forcë të reagojë në pjesën e dytë, dhe pas më shumë se një ore lojë, ekipi i Flick shënon sërish: në minutën e 66-të, Dani Olmo merr një asist nga Gerard Martin dhe shënon nga afër për 2-0. Në fund, Lewandowski siguron dopietën personale, duke mbyllur gjithçka në minutën e 92-të për 3-0. Barcelona është e dyta me 12 pikë pas Interit, ndërsa Brest mbetet në 10 pikë.
MANCHESTER CITY 3-3 FEYENOORD
Një përmbysje e jashtëzakonshme nga Feyenoord, që duke qenë në disavantazh 3-0 në shtëpinë e Manchester City, arrin të marrë një pikë me rezultatin përfundimtar 3-3. Gjatë pjesës së parë, skuadra e Guardiolës dominon me zotërim të gjatë të topit, por si në ndeshjet e fundit, vendasit kanë vështirësi të gjejnë rrjetën. Pas minutës së 30-të, mbrojtja angleze lëkundet ndaj kundërsulmeve holandeze, por në fund të pjesës së parë, City zhbllokon ndeshjen: një penallti e realizuar nga Erling Haaland në minutën e 44-të çon rezultatin në 1-0 në pushim.
Pas rikthimit në fushë, City duket se e mbylli ndeshjen: në minutën e 50-të, Gundogan shënon për 2-0, dhe tre minuta më pas Haaland kompleton dopietën për 3-0. Feyenoord tenton të kthehet në lojë në minutën e 75-të me Moussa, dhe përmbysja bëhet edhe më e mundshme kur Santiago Gimenez shënon për 3-2 në minutën e 82-të. Në minutën e 89-të, Hancko godet me kokë dhe mposht Edersonin, duke përmbyllur një rikthim të pabesueshëm në 3-3. City ngjitet në 8 pikë, një më shumë se Feyenoordi që ka 7.
BAYER LEVERKUSEN 5-0 SALZBURG
Një fitore e thellë për Bayer Leverkusen, që shkatërron Salzburgun me rezultatin 5-0. Një fillim i furishëm nga “Aspirinat”, të cilët pas vetëm tetë minutash lojë janë në avantazh me dy gola: në minutën e 6-të, Schick fiton një penallti (pas kontrollit në VAR), të cilën Florian Wirtz e kthen në gol një minutë më pas. Më pak se një minutë më pas, është radha e Grimaldo-s për të shënuar, duke çuar rezultatin në 2-0. Austriakët tentojnë një reagim të lehtë, por në minutën e 30-të gjermanët shënojnë golin e tretë: një kombinim mes autorëve të dy golave të parë, ku spanjolli asiston për dopietën e talentit të ri gjerman.
Edhe në pjesën e dytë, gjermanët vazhdojnë të dominojnë: fillimisht shënon Patrick Schick në minutën e 61-të, dhe më pas Aleix Garcia vulos rezultatin 5-0 në minutën e 72-të. Leverkusen tani ngjitet në 10 pikë në renditje, ndërsa Salzburgu mbetet me 3 pikë.
INTER 1-0 LEIPZIG
Fitore e rëndësishme në raundin e pestë të Champions për Inter, që kaloi 1-0 Leipzig dhe mori përkohësisht kryesimin e renditjes. Në San Siro, ekipi i teknikut Inzaghi mori kontrollin e ndeshjes dhe dominoi fushën e lojës, ndërsa gjermanët lanë hapësirë dhe i bënë një dhuratë zikaltërve. Goli i fitores erdhi në minutën e 27′, falë një autogoli të Lukeba, i cili me takë dërgoi një krosim të Dimarcos në rrjetë, duke mposhtur portierin Gulacsi. Një fitore e rëndësishme për teknikun Inzaghi dhe djemtë e tij, ndërsa pret të shohë ndeshjen mes Liverpool dhe Real Madrid për renditjen. Leipzig, ndërkohë, pas pesë ndeshjesh, vazhdon të mbetet pa pikë në renditje.
YOUNG BOYS 1-6 ATALANTA
Në raundin e pestë të UEFA Champions League, Atalanta shkatërroi Young Boys me rezultatin 6-1. Gol i Ganvoula (11’) e barazoi rezultatin menjëherë pas avantazhit të sigluar nga Retegui (9’). Nga aty, pastaj nisi shfaqja e De Ketelaere: goli i tij për 2-1 erdhi në minutën e 28′, dy asiste të tjera (për Kolasinac në minutën e 31′ dhe për Retegui në minutën e 39′), dhe pastaj belgu shënoi dygolëshin e tij në minutën e 56′. Samardzic e përfundoi festën bergamaske me një gol tjetër në minutën e 90′.
SLOVAN BRATISLAVA 2-3 MILAN
Milan mposhti 3-2 Slovan Bratislava në raundin e pestë të Champions League, duke arritur fitoren e tretë radhazi në këtë kompeticion dhe duke u ngjitur në 9 pikë në renditje. Në Tehelné pole, kuqezinjtë e hapën ndeshjen në minutën e 21′ me Pulisic, i shërbyer në thellësi nga Abraham pas një shpëtimi të jashtëzakonshëm të Pavlovic, në goditjen e Strelec që kishte kaluar edhe Maignan. Përmes një kundërsulmi në minutën e 24′, Slovan barazoi menjëherë me Barseghyan, por në pjesën e dytë, me golat e Leao (68′) dhe Abraham (71′), Milan zgjidhi ndeshjen dhe e bëri të pavlefshëm golin e jashtëzakonshëm të Marcelli në fund.
SPARTA PRAGUE 0-6 ATLETICO MADRID
Rezultat impresionues për Atletico Madrid, që shkatërroi 6-0 në Pragë, Spartën e 4 shqiptarëve. E në fakt, Qazim Laçi, Albion Rrahmani, Ermal Krasniqi dhe Indrit Tuci kur u fut nuk mundën të bënin dot asgjë. Ekipi i trajnuar nga Simeone filloi fuqishëm, duke shënuar golin e parë në minutën e 15′ falë golit të Julian Alvarez. Në minutën e 36′, Sorloth pati mundësinë për 2-0, por goditja e tij u ndal nga një refleks i shkëlqyer i portierit Jensen. Goli për të rritur diferencën erdhi nga një mundësi jo aq e qartë: në minutën e 43′, Llorente krosoi nga e majta, Sorloth bëri sikur do godiste me kokë, me topin që shkoi në rrjetë duke befasuar portierin kundërshtar.
Në fillim të pjesës së dytë, çekët provuan të reagonin, por shpresa zgjati pak: në minutën e 59′, Griezmann (i sapo hyrë) pasoi te Julian Alvarez, i cili shkëmbeu topin me Giuliano Simeone dhe pastaj shënoi dygolëshin e tij personal. Në minutën e 70′ erdhi edhe goli i katërt: Griezmann finalizoi një diagonale të shkëlqyer me të djathtën duke fiksuar pokerin. Në fund të ndeshjes, dygolësh shënoi edhe Correa, i cili në katër minuta (85′ dhe 89′) shënoi dy gola të rëndësishëm për golavarazhin. Atletico ngjitet në 9 pikë në renditje, ndërsa Sparta Praga mbetet me 4.
League Stage Champions League
Slovan Bratislava 2-3 AC Milan
Sparta Prague 0-6 Atletico Madrid
Barcelona 3-0 Brest
Bayer Leverkusen 5-0 RB Salzburg
Bayern Munich 1-0 Paris Saint-Germain
Inter 1-0 RB Leipzig
Manchester City 3-3 Feyenoord
Sporting CP 1-5 Arsenal
Young Boys 1-6 Atalanta