Belinda Balluku nuk po merr pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku do të vendoset nëse do t’i jepet autorizim SPAK për ta arrestuar apo jo. Mbledhja ka nisur me një fjalim të kryeministrit Edi Rama që është ankuar për arrestimet masive të prokurorëve, kontrollet për natën e vitit të ri dhe për vendimin e gjykatësve për ta pezulluar nga detyra Ballukun. Retorika e Ramës përkundrejt gjyqësorit është përmbysur krejtësisht nga ajo e disa muajve më parë, kur ia bëri të qartë socialistëve se nuk do të ketë kritika dhe sulme ndaj drejtësisë, edhe sikur ndonjëri prej deputetëve të trajtohej si kavie.
Që pas marrjes të pandehur, Belinda Balluku ka folur vetëm një herë në parlament duke mos dhënë një alibi për akuzën që SPAK ka ngritur për shkelje të barazisë në tendera. Në raportimin e fundit në Këshillin e Mandateve, prokurorët e SPAK thanë se Balluku rrezikon 35 vjet burg në total, nëse provohen të gjitha akuzat ndaj saj.