Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme, vendosi që Fondi Shqiptar i Zhvillimit të jetë autoriteti kontraktor për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, lidhur me projektin për rehabilitimin e sheshit “Nënë Tereza”.
Në projekt përfshihet ndërtimi i një Muzeu Arkeologjik nëntokësor dhe parkimi nëntokësor.
Sipas vendimit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të kryejë të gjitha procedurat, sipas legjislacionit në fuqi për prokurimin publik, duke lidhur edhe kontratat përkatëse për projektimin, zbatimin e mbikëqyrjen e projektit, si dhe të ndjekë zbatimin e tyre e të projektit përkatës.
Gjithashtu, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të bëjë paraqitjen e kërkesave për miratimin e lejeve të zhvillimit dhe të ndërtimit në emër të institucioneve publike përfituese pranë autoritetit kompetent të zhvillimit të territorit, si dhe ndjekjen e të gjitha veprimeve e të procedurave të nevojshme.
Vendimi i Këshillit të Ministrave
Vendim për ngarkimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si autoritet kontraktor, për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, për realizimin e projektit “Ndërtimi i Muzeut Arkeologjik nëntokësor, parkimi nëntokësor dhe rehabilitimi i sheshit “Nënë Tereza””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 53, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
Vendosi:
1. Ngarkimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si autoritet kontraktor dhe njësi zbatuese, për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, për realizimin e projektit “Ndërtimi i muzeut arkeologjik nëntokësor, parkimi nëntokësor dhe rehabilitimi i sheshit “Nënë Tereza””.
2. Në funksion të zbatimit të projektit, të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ngarkohet të kryejë:
a) të gjitha procedurat, sipas legjislacionit në fuqi për prokurimin publik, duke lidhur edhe kontratat përkatëse për projektimin, zbatimin e mbikëqyrjen e projektit, si dhe të ndjekë zbatimin e tyre e të projektit përkatës;
b) paraqitjen e kërkesave për miratimin e lejeve të zhvillimit dhe të ndërtimit në emër të institucioneve publike përfituese pranë autoritetit kompetent të zhvillimit të territorit, si dhe ndjekjen e të gjitha veprimeve e të procedurave të nevojshme për këtë qëllim, sipas legjislacionit në fuqi për zhvillimin e territorit.
3. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Bashkia Tiranë mund të lidhin marrëveshje bashkëpunimi, në funksion të zhvillimit të projektit të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi.
4. Efektet financiare përballohen nga buxheti i miratuar për Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
5. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Bashkia Tiranë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.