Vëllezërit Tate arrestohen në SHBA, Britania kërkon ekstradimin e tyre

Autoritetet në Shtetet e Bashkuara i kanë arrestuar të shtunën vëllezërit Andrew dhe Tristan Tate, ndërsa Prokuroria britanike njoftoi se do ta kërkojë ekstradimin e ish-kikboksierëve të shndërruar në yje të rrjeteve sociale, për akuza të reja për përdhunim, lëndim trupor dhe trafikim me qenie njerëzore.

Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës së Britanisë (CPS) bëri të ditur se do të ngrejë aktakuzë shtesë ndaj Andrew Tate, 39 vjeç, dhe Tristan Tate, 38 vjeç, pasi identifikoi katër viktima të tjera.

Vëllezërit Tate do të përballen me akuza në Britani që lidhen me vepra të dyshuara penale, të kryera midis korrikut 2010 dhe gushtit 2017.

“Ne kemi vendosur t’i ndjekim penalisht Andrew dhe Tristan Tate për vepra të tjera penale, përfshirë përdhunimin, organizimin ose lehtësimin e trafikimit për shfrytëzim seksual, si dhe vepra që lidhen me imazhe të papërshtatshme të një të mituri”, tha Malcolm McHaffie, drejtues i Divizionit të Krimeve Speciale në CPS.

Vëllezërit Tate, të cilët kanë shtetësi të dyfishtë amerikane dhe britanike, i kanë mohuar akuzat.

Sipas disa mediave, vëllezërit Tate u arrestuan në Majami.

Arrestimi i tyre shënon një kapitull të ri në problemet e tyre gjithnjë në rritje me drejtësinë, pasi ata tashmë përballen me procese penale në Rumani, ku autoritetet po i hetojnë që nga dhjetori i vitit 2022.

Vëllezërit Tate kanë ndërtuar një audiencë të madhe në internet duke promovuar pikëpamjet e tyre mbi maskulinitetin dhe pasurinë, ndërsa Andrew Tate më parë e ka përshkruar veten si mizogjen, raporton REL.

Andrew Tate pritet të dalë në gjyq në Britani këtë vit në një çështje civile të ngritur nga katër gra, të cilat e akuzojnë për abuzim fizik dhe seksual.

Katër paditëset, identiteti i të cilave është mbajtur anonim nga gjykata, pretendojnë se Tate ka ushtruar dhunë fizike ose seksuale ndaj tyre në periudhën 2013–2015. Dy prej tyre thonë se kanë qenë në marrëdhënie intime me Tate, ndërsa dy të tjerat kanë punuar për biznesin e tij të kamerave në internet.

Andrew Tate i mohon këto akuza.

Avokatët e tij kanë deklaruar se pretendimet janë të rrejshme dhe se çdo aktivitet seksual ka qenë me pëlqimin e të gjitha palëve.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top