Policia ka zbardhur detaje në lidhje me aksidentin e ndodhur në autostradën Vlorë-Fier, pasditen e sotme, ku humbi jetën Ermal Lula.
Në një komunikatë për mediat, uniformat blu theksojnë se, viktima ishte 63-vjeçari me profesion oficer policie në DVP Vlorë.
Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të saktë të aksidentit.
Njoftimi i policisë:
“Vlorë/Informacion paraprak. Rreth orës 18:00, në autostradën “100 Vjetori”, në drejtimin Fier–Vlorë, automjeti tip “Toyota”, me drejtues shtetasin E. L., dyshohet se, për shkak të motit të keq dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit, është përplasur me një mjet tip skrep, me drejtues shtetasin Thanas Poçaj, 63 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i automjetit “Toyota”, shtetasi E. L., oficer policie në DVP Vlorë. Ndërsa shtetasi Th. P. është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të saktë të aksidentit.”, njofton Policia.