Vazhdon gjyqi ndaj Trump, shpallet sërish fajtor për mospërfillje të gjykatës

Gjykatësi në çështjen penale në Nju Jork ndaj ish-presidentit Donald Trump vendosi sërish të hënën se zoti Trump ka shkelur urdhrin që ia ndalon të sulmojë dëshmitarët për këtë proces gjyqësor. Gjykatësi e paralajmëroi prerazi zotin Trump se mund të burgoset nëse vazhdon të injorojë urdhrin e gjykatës. Gjykatësi Juan Merchan e mori vendimin në fillimin e javës së tretë të procesit gjyqësor, periudhë gjatë së cilës janë dëgjuar dëshmitarët. Në këtë çështje penale, akuzat janë për falsifikim të të dhënave të biznesit të Organizatës Trump, me qëllim fshehjen e një pagese prej 130 mijë dollarësh për të fituar heshtjen e aktores së filmave pornografikë, Stormy Daniels.

Ish-presidenti Trump ka mohuar pretendimin e zonjës Daniels për një marrëdhënie seksuale mes tyre, si dhe ka mohuar të 34 akuzat e ngritura ndaj tij. Por, gjykatësi Merchan e paralajmëroi zotin Trump se shkelja e urdhrit të gjykatës “është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj shtetit ligjor. Nuk mundem ta lejoj këtë të vazhdojë”. Gjykatësi Merchan tha se “gjëja e fundit” që do të donte ishte ta dërgonte zotin Trump në burg, por se do ta bënte këtë nëse do të duhet. “Je ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe ndoshta edhe presidenti i ardhshëm”, shtoi gjykatësi.

Gjykatësi Merchan i vendosi një tjetër gjobë prej 1 mijë dollarësh për shkeljen e urdhrit të gjykatës. Javën e kaluar, ai i dha 9 mijë dollarë gjoba për shkeljen nëntë herë të urdhrit. Javën e kaluar, gjykatësi pranoi se ndëshkimi është tepër i vogël për një miliarder si zoti Trump.

Procesi rifilloi të hënën, ndërsa juria prej 12 anëtarësh nuk ka dëgjuar ende dy dëshmitarët kryesorë për çështjen – zonjën Daniels dhe ish-avokatin dhe ndërmjetësin politik të zotit Trump, të dënuarin tashmë për evasion fiskal dhe deklarata të rreme, Michael Cohen. Anëtarët e jurisë kanë dëgjuar shumë rreth të dy personave gjatë dy javëve të fundit, por prokurorët nuk kanë dhënë ndonjë tregues se kur mund të thirren për të dëshmuar.

Sidoqoftë, Jeffrey McConney, ish-kryellogaritar në Organizatën Trump, foli të hënën gjatë dëshmisë së tij se si zoti Cohen i dërgonte fatura kompanisë në mënyrë që të rimbursohej për 130 mijë dollarët e dhënë zonjës Daniels. Zoti McConney tha se disa prej çeqeve për zotin Cohen u dërguan në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2017, pasi zoti Trump u bë president, në mënyrë që ai t’i firmoste personalisht dhe më pas shumat përkatëse tërhiqeshin nga llogaria personale e zotit Trump.

Në total, zotit Cohen iu paguan 420 mijë dollarë, përfshirë 130 mijë dollarët si rimbursim për shumën e marrë nga vendosja si garanci e vlerës së shtëpisë së tij, për të mundësuar pagesën për zonjën Daniels. Shuma e paguar zotit Cohen ishte më e madhe, me qëllimin që të mjaftonte për të mbuluar shpenzimet e tij tatimore për këto pagesa, si dhe në formën e një bonusi. Ish-presidenti Trump ka thënë se pagesat për zotin Cohen në vitin 2017 ishin për punën e tij ligjore bazuar në një marrëveshje shërbimesh për Organizatën Trump. Por prokurorët kanë thënë se nuk ka patur shërbime të tilla ligjore dhe zoti McConney tha se nuk u njoh ndonjëherë me një dokument të tillë.

Zoti McConney tha se i autorizoi pagesat për zotin Cohen pa ditur saktësisht se për çfarë ishin, por se veproi sipas udhëzimeve të Allen Weisselberg-ut, ish-drejtor i financave në Organizatën Trump, si dhe të Eric Trump-it, djali i dytë i ish-presidentit.

Anëtarëve të jurisë iu tregua një mesazh email-i nga zoti Weisselberg ku thuhej se mund të paguhej zoti Cohen pasi “ishte rënë dakort me Don-in dhe Eric-un”, duke iu referuar ish-presidentit dhe djalit të tij. Zoti Weisselberg po vuan aktualisht një dënim prej pesë muajsh burgim për dëshmi të rreme gjatë çështjes civile gjyqësore për biznesin e zotit Trump, ndërsa djali i tij Eric qëndroi i ulur përkrah ish-presidentit në sallën e gjyqit në ditën e 12-të të procesit.

“Të thanë të bëje diçka, dhe e bëre?”, e pyeti zotin McConney prokurori Matthew Colangelo. “Po”, u përgjigj zoti McConney. Në moshën 77-vjeçare, Donald Trump është bërë ish-presidenti i parë amerikan ndaj të cilit janë ngritur akuza penale. Prokurorët thonë se pagesat për zonjën Daniels synonin që ajo të mos fliste për marrëdhënien e pretenduar me zotin Trump, ndërsa votuesit përgatiteshin të shkonin në qendrat e votimit tetë vite më parë. Zoti Trump ka mohuar akuzat ndaj tij, por nëse gjendet fajtor mund të dënohet me kusht, apo deri edhe në katër vite burgim. Ai është kandidati i pritshëm për president i Partisë Republikane për zgjedhjet që mbahen në 5 nëntor./VOA

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top