Van Dijk nuk ka idenë se kush është intervistuesi i tij: “Të kam shënuar dy gola”

Të martën në mbrëmje Liverpool hodhi një hap të rëndësishëm drejt 8 vendeve të para të fazës me grupe të Champions League, duke mposhtur 1-0 Real Madrid në “Anfield”. Goli i Mac Allister i dha “Reds” fitoren e tretë (pas atyre ndaj Atletico Madrid dhe Eintracht), përballë një humbjeje të vetme në fushën e Galatasaray. Virgil van Dijk ishte si zakonisht shtylla e mbrojtjes së drejtuar nga Slot.

Por pas ndeshjes, intervista televizive i rezervoi 34-vjeçarit holandez edhe një moment tjetër të veçantë, kur për ta intervistuar ishte televizioni polak. Van Dijk u gjend përballë një fytyre të njohur të së kaluarës — por ai nuk kishte as idenë më të vogël se kush ishte.

Van Dijk intervistohet nga Zyro, por nuk e kujton
Kapiteni i kombëtares holandeze mbeti i habitur kur intervistuesi i tij i tha se kishte luajtur kundër tij dhe madje i kishte shënuar dy gola. Bëhej fjalë për Michal Zyro, një vit më i ri se ai, i cili u tërhoq nga futbolli vitin e kaluar. Të dy ishin përballur 11 vite më parë, kur Van Dijk luante për Celtic Glasgow dhe sulmuesi polak (me 4 paraqitje me kombëtaren) për Legia Warszawa. Në gusht të vitit 2014, dy skuadrat u ndeshën në raundin e tretë kualifikues të Champions League.

Legia fitoi 4-1 në ndeshjen e parë dhe u imponua edhe në kthim 2-0, por në fund kualifikimin e mori Celtic, pasi klubi polak u ndëshkua me humbje 3-0 në tavolinë në ndeshjen e dytë, sepse aktivizoi një lojtar të pezulluar, mbrojtësin Bartosz Bereszynski, që hyri në minutat e fundit pikërisht në vend të Zyro, i cili kishte shënuar një nga dy golat për Legia, pasi kishte realizuar edhe në ndeshjen e parë në Varshavë.

Ish-sulmuesi i kombëtares polake tani punon për Canal+
Dy vite më vonë, Zyro u transferua te Wolverhampton, më pas luajti edhe për Charltonin (tre sezone gjithsej në Angli), përpara se të kthehej në vendlindje dhe të mbyllte karrierën herët, siç u përmend, në vitin 2024, vetëm 32 vjeç, për shkak të dëmtimeve të shumta. Michal ndërtoi menjëherë një jetë të re duke punuar për “Canal+” polak dhe në këtë rol pati “ribashkimin e papritur” me Van Dijk, të cilit i tregoi kur dhe si kishin luajtur kundër, duke i kujtuar edhe përfundimin fatkeq për Legia-n në atë përballje dyshe.

Batuta e Van Dijk: “Pra më ke shënuar dy gola dhe tani po më interviston”
“Jam me të vërtetë i lumtur që të shoh”, tha Zyro, ndërsa Van Dijk iu përgjigj me një buzëqeshje: “Pra më ke shënuar dy gola dhe tani po më interviston.” “Po, sepse më pas kalova te Wolverhampton për dy a tre vjet dhe pësova një dëmtim të keq në gju”, i shpjegoi polaku. “Më vjen keq ta dëgjoj këtë”, ia ktheu mbrojtësi i Liverpool.

Shkëmbimi mes të dyve u mbyll në një atmosferë të ngrohtë miqësore: “Më pëlqen shumë të jem këtu dhe është vërtet diçka e veçantë të flas me ty”, tha Zyro, ndërsa Van Dijk i uroi fat në karrierën e re: “Për sa kohë je i lumtur, kjo është gjëja më e rëndësishme. Kështu që vazhdo të bësh atë që po bën.” Një përqafim i ngrohtë mbylli këtë skenë të bukur.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top