Pas ndeshjes së fitores me shumë vlerë të Liverpool ndaj Real Madrid erdhi një lloj përballjeje mes Virgil van Dijk dhe Wayne Rooney. Kapiteni i “Reds” dhe ish-sulmuesi i Manchester United u gjendën krah për krah pas polemikave të ditëve të fundit, të lindura nga kritikat e këtij të fundit. Gjiganti holandez nuk bëri sikur s’kishte ndodhur asgjë, në një situatë të mbushur me siklet të dukshëm.
Van Dijk dhe Rooney, siklet gjatë intervistës
Rasti iu shfaq si në pjatë argjendi për Van Dijk, kur u fol për kritikat që Liverpool kishte marrë ditët e fundit. Pikërisht Rooney i ishte vërsulur “senatorëve” të Reds – pra mbrojtësit dhe egjiptianit Salah – për mënyrën se si po udhëhiqnin skuadrën. Në debat, në terren për Amazon Prime, Virgil nisi duke thënë: “Në një botë plot kaos, duhet të përpiqesh të qëndrosh i qetë dhe të kesh perspektivën e duhur. Ka ende shumë ndeshje për t’u luajtur dhe mund të ndodhin shumë gjëra. Në atë moment kishte shumë zhurmë.”
Kur moderatorja bëri me shaka një referim pikërisht për praninë e Rooney, ndër më kritikët, Van Dijk – fillimisht me tone të buta, pastaj me një thumb të lehtë – shtoi: “Nëse humbet katër apo pesë ndeshje radhazi si lojtar i Liverpool, kritikat janë të kuptueshme, por ndonjëherë bëhen të tepruara. Jetojmë në një botë ku ka kaq shumë platforma, ku shumë njerëz mund të thonë çfarë të duan, dhe gjithçka amplifikohet. Mendoj se është pozitive kur ish-lojtarët që kanë luajtur në nivelet më të larta dhe kanë kaluar momente të vështira ndihmojnë për të vendosur gjërat në perspektivë.”
Rooney, i përmendur drejtpërdrejt, ia ktheu me një buzëqeshje duke riafirmuar mendimin e tij: “Nuk do të them më asgjë. Mendoj se i kam motivuar dhe i kam futur në një seri fitoreje! Ajo që thashë ishte e drejtë. Kur fiton Premier League dhe më pas fillon të humbasësh disa ndeshje radhazi – gjë e pazakontë për Liverpool në vitet e fundit – Virgil, si kapiten, duhet të udhëheqë lojtarët, dhe pikërisht ky ishte kuptimi i fjalëve të mia. Kjo është pjesë e futbollit, dhe duhet të them se përgjigjja e Virgil dhe e skuadrës ka qenë fantastike.”
Van Dijk responds to Wayne Rooney’s criticism pic.twitter.com/L4gylSrxFl
— LFCTact (@LFCTactico) November 4, 2025
Përgjigjja përfundimtare e Van Dijk ndaj Rooney
Van Dijk nuk kishte ndërmend ta linte me aq dhe mori hakun e tij: “Nëse do t’i shikoje ndeshjet, do të shihje që marr përsipër të gjitha përgjegjësitë e mia. Por komenti se, pas firmosjes së kontratës së re, unë ‘jam rehatuar’ apo ‘kam lëshuar’, atë po, e kam gjetur pak… e le të themi që nuk jam aspak dakord. Kjo është vetëm mendimi im personal”. Ndjesia është se polemika mes tyre nuk është aspak e mbyllur.