Nuk ka qenë aspak e lehtë, por sidoqoftë Chermen Valiev kualifikohet në çerekfinale të Paris 2024, në mundje stil i lirë, në peshën deri në 74 kg. Në debutimin e tij në Olimpiadë, Valiev mposhti mundësin nga Azerbajxhani, Turan Bayramov.
Kundërshtari i sportistit kuqezi vinte me statusin e ish-kampionit të Botës U-23, si dhe nënkampion e dy herë medalist i bronxtë i Europës. Bayramov e nisi garën mirë duke marrë avantazhin 3-0 ndaj mundësit kuqezi. Valiev u ngrit në nivel dhe arrit të barazonte me pikë teknike 3-3. Ashtu si ndodhi edhe me Abakarov një ditë më parë, pika e fundit i dha mundësit tonë fitoren 4-3 dhe kalimin në turin tjetër.
Valiev tani do të ketë përballë një tjetër mundës lindor. Uzbekistanasi, Jazambek Ramalov, është pengesa e fundit, përpara se mundësi kuqezi të fitojë një shans për të garuar për medalje në Lojërat Olimpike Paris 2024.