Debutimi i Rolando Maranit në pankinën e Shqipërisë po afron, ndërsa trajneri italian po përgatitet të hedhë në fushë skuadrën për ndeshjen e parë të “mandatit” të tij. Megjithatë, tekniku kuqezi është përballur me një vështirësi jo të vogël që në nisje të aventurës: mungesën e kohës.
Shqipëria ka zhvilluar vetëm dy seanca stërvitore nën drejtimin e Maranit dhe kjo e ka kufizuar ndjeshëm mundësinë për të punuar në detaje mbi aspektet taktike. Pavarësisht kësaj, vetë trajneri ka bërë të ditur se ka arritur t’u transmetojë lojtarëve konceptet bazë të lojës që dëshiron të shohë në fushë.
Sfida ndaj Izraelit pritet të jetë më shumë sesa një ndeshje miqësore. Ajo do të shërbejë si prezantimi i parë i ideve të trajnerit italian dhe si testi i parë për projektin e ri teknik të Kombëtares.
Maran pritet të rikthejë skemën e tij të preferuar
Sinjalet e marra nga seancat stërvitore të fundit tregojnë se Maran synon të nisë menjëherë me sistemin që e ka karakterizuar gjatë karrierës së tij. Shqipëria pritet të rreshtohet me një 4-3-1-2, skemë që i jep më shumë densitet mesfushës dhe lejon ekipin të sulmojë me dy sulmues të mirëfilltë. Një ndryshim i dukshëm krahasuar me disa prej zgjidhjeve taktike që kuqezinjtë kanë përdorur në vitet e fundit. Megjithatë, deri në orët e fundit para ndeshjes, trajneri vazhdon të ketë disa pikëpyetje si për emrat, ashtu edhe për konfigurimin final të skuadrës.

Sherri favorit për portën
Një nga risitë më të mëdha mund të jetë mes shtyllave. Alen Sherri shihet si kandidati kryesor për të nisur nga minuta e parë dhe për të marrë besimin e trajnerit në debutimin e tij. Portieri është kthyer nga një dëmtim i gjatë, që i komplikoi sezonin me Cagliari-n dhe duket se mund të fitojë një mundësi të rëndësishme për të treguar vlerat e tij me fanellën kuqezi.
Mbrojtja me eksperiencë
Në repartin defensiv, Maran pritet t’i besojë një kombinimi mes eksperiencës dhe sigurisë. Në qendër, kapiteni Berat Gjimshiti pritet të formojë çiftin me Arlind Ajetin, ndërsa në krahë favoritë për një vend titullari janë Mario Mitaj në të majtë dhe Elseid Hysaj në të djathtë. Kjo katërshe konsiderohet aktualisht si alternativa më e balancuar për t’i dhënë stabilitet skuadrës në fazën mbrojtëse.
Mesfusha, zemra e projektit të ri
Një nga repartet ku priten më shumë ndryshime është mesfusha. Kristjan Asllani, Ylber Ramadani dhe Juljan Shehu janë kandidatët kryesorë për të formuar trekëndëshin në qendër. Ideja e Maranit duket të jetë krijimi i një mesfushe me intensitet, agresivitet në rikuperimin e topit dhe aftësi për të mbështetur mbrojtjen.
Përpara tyre, në rolin e organizatorit, favorit mbetet Nedim Bajrami, edhe pse Anis Mehmeti vazhdon të jetë një alternativë serioze për atë pozicion. Pikërisht ky rol mund të jetë një nga çelësat e skemës së re, pasi lojtari pas sulmuesve do të ketë detyrën të lidhë mesfushën me repartin ofensiv.
Uzuni në dyshim, kush mund të jetë në krah të Brojës?
Në repartin ofensiv, Maran duket se do të mbështetet te cilësia dhe shpejtësia e Armando Brojës dhe Myrto Uzunit. Vetëm se beratasi nuk është stërvitur dje me ekipin, i përfshirë nga një gjendje gripale. Kështu, Daku mund të jetë zgjedhja e parë e Maran, edhe pse Seferi është zëvendësuesi ideal për nga karakteristikat i Uzunit.
Të dy pritet të formojnë çiftin sulmues në ndeshjen e parë të trajnerit italian, megjithëse Mirlind Daku mbetet një alternativë e fortë dhe mund të fitojë vendin e titullarit deri në momentet e fundit. Zgjedhja finale do të varet nga ajo që Maran kërkon nga ndeshja: më shumë lëvizshmëri dhe sulm në hapësira, apo më shumë forcë fizike dhe prezencë në zonë.
Vendimet e fundit para debutimit
Seanca e fundit stërvitore pritet të jetë vendimtare për përzgjedhjet e trajnerit. Maran ende nuk ka vulosur formacionin përfundimtar dhe disa balotazhe mbeten të hapura.
Përtej rezultatit, vëmendja kryesore do të jetë te mënyra si do të paraqitet Shqipëria në fushë. Pas vetëm pak ditësh pune, sfida ndaj Izraelit do të ofrojë përgjigjet e para për identitetin që trajneri italian synon t’i japë Kombëtares dhe për ndryshimet që mund të shoqërojnë epokën e re kuqezi.