Ushtria serbe lëvizje në kufi me Kosovën, reagon KFOR

Misioni i NATO-s, KFOR, ka thënë se situata në Kosovë është e qetë, por mbetet e brishtë, në një përgjigje për deklaratat e kryeministrit Albin Kurti që ka thënë se ushtria serbe po provokon afër kufirit.

Kryeministri Kurti ka njoftuar se të enjten gjatë ditës janë vërejtur njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë disa metra larg kufirit me Kosovën. Me anë të disa pamjeve të publikuara në faqen zyrtare në Facebook, Kurti ka thënë se këta trupa janë parë në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Kjo u mohua nga Serbia, që i ka quajtur dezinformata deklarimet e Kurtit.

Në një përgjigje për KOHËN, KFOR-i ka thënë se ka dislokuar 1000 trupa shtesë e ka trefishuar numrin e patrullimeve pas tensioneve të fundit në veri. Kjo, sipas tyre, i mundëson misionit monitorojë nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë dhe t’i përgjigjet të gjitha situatave që ndikojnë në një mjedis të sigurt.

“Pas tensioneve të fundit, ne dislokuam rreth 1000 trupa shtesë në Kosovë dhe rritëm qëndrimin e KFOR-it në veri të Kosovës. Gjithashtu kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare. Prandaj, KFOR-i ka një prani fleksibël dhe të dukshme në mbarë Kosovën, gjë që i mundëson misionit tonë të monitorojë nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë dhe t’i përgjigjet të gjitha situatave që ndikojnë në një mjedis të sigurt. Qëllimi ynë është të parandalojmë përshkallëzimin dhe jemi të gatshëm dhe të pajisur për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin tonë të OKB-së për të siguruar mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes”, thuhet në përgjigjen e tyre.

KFOR-i ka thënë se do të vazhdojë të punojë për mjedis të sigurt në bashkëpunim me partnerët.

“Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë përmes mjeteve të ndryshme, duke përfshirë – ndër të tjera – patrullimet, angazhimet me popullatën vendase dhe dialogun e rregullt me një gamë të gjerë homologësh, duke përfshirë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë në Kosovë, shefin e Shtabit të Armatosur të Serbisë, Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, OSBE-ja dhe trupi diplomatik Për më tepër, KFOR-i vepron në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, respektivisht si reagues i parë dhe i dytë i sigurisë. Duke vepruar kështu, KFOR-i do të vazhdojë të krijojë kornizën e sigurisë të nevojshme në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, në mënyrë që çështjet e pazgjidhura të zgjidhen, për të mirën e të gjitha komuniteteve”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.

KFOR-i beson se të gjitha palët duhet të përmbahen nga veprimet përshkallëzuese.

“Ne besojmë se të gjitha palët duhet të përmbahen nga veprimet përshkallëzuese dhe retorika përçarëse dhe të angazhohen në mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Siç tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës së tij në rajon nëntorin e kaluar, ‘stabiliteti varet nga të gjitha palët që zgjedhin dialogun dhe diplomacinë në vend të konfliktit dhe dhunës’ “, thuhet në përgjigje.

 

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top