Ursula von der Leyen do të kërkojë mandatin e dytë si kryetare e Komisionit Evropian. Planet e saj pritet t’i tregojë në një takim të partisë së Bashkimit Kristian Demokrat (CDU) në Berlin. Kreu i institucionit më të fuqishëm në Bruksel, Von der Leyen, 65 vjeç, ka ruajtur me kujdes synimet e saj gjatë vitit të kaluar, duke shmangur të gjitha pyetjet mbi këtë temë, shkruan The Guardian.
Por shpallja e kandidaturës së saj për pesë vite të tjera do të shënojë hapin e parë në një betejë katërmujore për zgjedhje që mund të përfshijë një fushë më të gjerë, me disa spekulime që kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, mund të jetë një tjetër kandidate për këtë detyrë.
Pasi të zgjidhet nga CDU, ajo duhet të marrë mbështetjen e dy partive të tjera brenda Partisë Popullore Evropiane (EPP), grupimi i qendrës së djathtë në Parlamentin Evropian, i cili përfshin gjithashtu partitë në pushtet në Greqi, Irlandë, Lituani dhe Suedi. Më pas, ajo duhet të fitojë një votë në Kongresin e EPP-së në mars, që do të mbahet në Bukuresht, përpara se të përballet me pengesën e fundit në qershor, kur fillon tregtia e vërtetë e kuajve mbi postet kryesore në Bruksel.
Sipas procesit Spitzenkandidaten, zgjedhja e presidentit të Komisionit Evropian është e lidhur me rezultatet e zgjedhjeve të Parlamentit Evropian të planifikuar për 6-9 qershor. Por ajo që do të ndodhë në qershor do të përcaktohet nga përqindja e votave që PPE komandon pas zgjedhjeve. Në vitin 2019, EPP fitoi shumicën e vendeve dhe mund të priste që kandidati i tyre, Manfred Weber, të emërohej në detyrë. Por ai nuk ishte në gjendje të krijonte mbështetje ndërpartiake me socialistët, të cilët dolën në vendin e dytë, duke paraqitur një tjetër kandidat të profilit të lartë, Frans Timmermans. Ndarja krijoi hapësirë për von der Leyen, e cila ishte një kandidate surprizë nga qeveria gjermane.
“Mos harroni, askush nuk kishte dëgjuar për të në vitin 2019 dhe ajo nga ministre e mbrojtjes në Gjermani u shndërrua në punën më të fuqishme në Bruksel brenda disa javësh”, tha një diplomate, duke kujtuar se ajo as nuk bëri fushatë për këtë detyrë.
Roli i kryediplomatit, i mbajtur tani nga Josep Borrell, është për “t’u rrëmbyer”, si dhe i kreut të Këshillit Evropian, i cili lehtëson marrëdhëniet midis kryeministrave dhe negocion pozicionet, shpesh në situata të ndërlikuara si mosmarrëveshja e fundit me Hungarinë për financimin e Ukrainë . Pas zgjedhjeve në qershor, këto pozicione ka të ngjarë të ndahen midis dy grupimeve të tjera të mëdha politike, aktualisht socialistët dhe demokratët (S&D) dhe grupi liberal i deputetëve Renew.