Shefi i sigurisë kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov, deklaroi se Kievi po punon për të organizuar një vizitë të Presidentit Volodymyr Zelensky në SHBA “në datën më të hershme të përshtatshme” gjatë këtij muaji, teksa përpjekjet për një marrëveshje paqeje po intensifikohen.
Paralelisht, SHBA-të konfirmuan se zyrtarët e tyre do të zhvillojnë bisedime me përfaqësues rusë në Abu Dhabi, pjesë e iniciativave të reja diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit. Sipas një zyrtari amerikan, takimet pritet të fokusohen në versionin e rishikuar të planit të paqes të propozuar nga Washingtoni.
Ndërkohë, gjatë natës Rusia dhe Ukraina shkëmbyen sërish sulme ajrore. Zyrtarët në Kiev raportuan të paktën gjashtë të vrarë nga sulmet ruse në kryeqytet, ndërsa autoritetet ruse njoftuan se të paktën tre persona humbën jetën nga një sulm ukrainas në rajonin e Rostovit.
Lëvizjet diplomatike vijnë pasi Zelensky përshëndeti ndryshimet e fundit të bërë në draftin 28-pikësh të SHBA-së, i cili më parë ishte kritikuar si tepër i favorshëm për Rusinë. Zyrtarët amerikanë dhe ukrainas u takuan të dielën në Gjenevë, ndërsa aleatët evropianë ndihmuan në riformulimin e planit për të reflektuar më mirë kërkesat e Ukrainës.
“Tani lista e hapave të nevojshëm për t’i dhënë fund luftës mund të bëhet e realizueshme,” deklaroi Zelensky, duke theksuar se shumë nga elementët thelbësorë të kërkuar nga Kievi janë përfshirë tashmë.
Nga ana e Moskës, një zyrtar i Kremlinit i cilësoi ndryshimet “krejtësisht jo-konstruktive”. Sergei Lavrov tha se Rusia ende nuk ka marrë versionin e përditësuar të planit dhe këmbënguli se çdo propozim duhet të pasqyrojë “frymën dhe shkronjën” e bisedimeve që Trump dhe Putin zhvilluan në Alaskë gjatë gushtit.
Veçmas, kryeministri britanik Sir Keir Starmer njoftoi se një takim virtual i “koalicionit të vullnetshëm” të aleatëve evropianë të Ukrainës do të zhvillohet të martën për të diskutuar zhvillimet e fundit në procesin e paqes.