Shqipëria zbret sonte (e martë) në fushë për ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve, teksa në transfertë përballet me San Marinon, në një sfidë ku kuqezinjtë synojnë fitoren e dytë radhazi në Grupin C1.
Ndeshja do të zhvillohet në “San Marino Stadium”, duke nisur nga ora 20:45. Përballja vjen vetëm tri ditë pas debutimit pozitiv të Shqipërisë në këtë edicion, kur skuadra e Rolando Maranit mposhti 2-0 Bjellorusinë në “Air Albania”.
Në krahun tjetër, San Marino e nisi kampanjën me një humbje të thellë 7-0 ndaj Finlandës. Vendasit luajtën me dhjetë futbollistë nga minuta e 51-të, duke e pasur të vështirë të përballonin presionin e finlandezëve.
Megjithatë, në prag të sfidës, Marani ka kërkuar përqendrim maksimal nga skuadra. Përzgjedhësi italian ka theksuar se Shqipëria duhet ta respektojë kundërshtarin dhe të tregojë identitetin e saj, duke paralajmëruar edhe disa ndryshime në formacion.
Kuqezinjtë kanë marrë tri pikët e para në grup dhe një tjetër fitore do t’i mbante në rrugën e objektivit për të luftuar për vendin e parë.
Në kalendar, pas San Marinos, Shqipërinë e pret transferta ndaj Finlandës më 3 tetor.