Udhëheqësit në Kosovë urojnë Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë

Në Kosovë, përmes një sërë aktivitetesh po shënohet 28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, teksa udhëheqësit shtetërorë e politikë në Kosovë ua kanë uruar shqiptarëve këtë festë.

Sot Shqipëria feston 112-vjetorin e pavarësisë nga Perandoria e atëhershme Osmane.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se 28 Nëntori është kujtim për sakrificat për liri dhe paqe.

“28 Nëntori është simbiozë e tri momenteve historike që e lartësojnë kombin tonë: ngritja e flamurit në Vlorë dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari”, shkroi Osmani në Facebook.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bëri homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt.

“28 Nëntori është dita jonë e krenarisë, dita e flamurit tonë kombëtar, 28 Nëntori është dita më përbashkuese e popullit tonë dhe kombit shqiptar”, tha Konjufca.

Ai nderoi “sakrificën e madhe të familjes Jashari” dhe kujtoi daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në ceremonitë në Shqipëri për shënimin e 28 Nëntorit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas homazheve në Prekaz, tha se në këtë vend “i ka rrënjët historia e luftës çlirimtare dhe ku i ka rrënjët edhe lira e popullit tonë”.

“Është një festë e cila duhet të na frymëzojë secilin për të bërë punë të mira për popullin tonë, vendin tonë. Është një festë që duhet të na përkujtojë sakrificat e gjeneratave të shumta për lirinë dhe shtetin tonë”, tha ai.

Rrugët dhe sheshet në qytetet në mbarë Kosovën janë mbushur me flamuj kuqezi dhe me simbole të tjera kombëtare.

Në Kosovë, 28 Nëntori nuk është festë shtetërore. Por, Qeveria e Kosovës me vendim të posaçëm çdo vit e shpall këtë ditë si ditë pushimi.

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top