Mes qindra mijëra viktimave të luftës mes Ukrainës dhe Rusisë është shtuar edhe ish-futbollisti i kombëtares ukrainase, Roman Maksymyuk. Mesfushori, i cili ka luajtur për Zenitin e Shën Petersburgut, Dinamon e Kievit dhe Dnipron, ishte shok skuadre me Shevchenkon në përfaqësuesen ukrainase gjatë periudhës 1998-2002, duke regjistruar pesë paraqitje. Ai humbi jetën në moshën 50-vjeçare në frontin e Pokrovskut, në rajonin e Donetskut, gjatë një aksioni luftarak, teksa përpiqej të dilte nga rrethimi i forcave ruse.
Data e përafërt e vdekjes së tij është rreth 30 janarit 2025. Maksymyuk ishte konsideruar i zhdukur në aksion për afro 20 muaj. Identifikimi u bë i mundur vetëm tani, në tetor të vitit 2026, përmes analizës së ADN-së. Krahasimi me një mostër të dhënë nga vajza e tij, Daria, rezultoi pozitiv. Bashkëshortja e tij, Vira, e bëri lajmin zyrtar më 16 tetor, pasi mori rezultatet e ekzaminimit.
Bashkëshortja njofton vdekjen e ish-futbollistit të kombëtares
“Mrekullia nuk ndodhi… Një vit shprese, pritjeje, lutjesh dhe besimi… Një vit gjatë të cilit jetuam mes qiellit dhe tokës, u kapëm pas shpresës më të vogël dhe besuam se Romani do të kthehej në shtëpi”, shkroi bashkëshortja e Maksymyuk në rrjetet sociale. “Faleminderit të gjithëve që u lutën, na mbështetën, ndihmuan në kërkime dhe nuk lejuan që shpresa të shuhej. Faleminderit secilit prej jush që e kujtoi Romanin së bashku me ne. Ju kërkoj ta kujtoni Romanin tim. Ai nuk ishte thjesht një person i zhdukur. Ishte bashkëshort, baba, bir dhe mik. Një njeri i dashur, të cilin e prisnim”.

Postimi i bashkëshortes së Roman Maksymyuk.
Kontakti i fundit që ish-futbollisti ukrainas pati me familjen ishte pikërisht më 30 janar të vitit të kaluar. Ai e telefonoi Virën dhe i tha se po nisej drejt pozicioneve në frontin e Pokrovskut dhe se mund të mos ishte i arritshëm për një periudhë kohe. Por ajo periudhë u kthye në një pritje të pafundme. Që nga ai moment nuk pati më asnjë lajm për të. Maksymyuk u vra në luftimet e përgjakshme në Donetsk, pikërisht gjatë përpjekjes për të dalë nga rrethimi.
Another painful loss for Ukrainian sports 🕯️
russia killed former Ukraine national team footballer Roman Maksymyuk.
During his football career, he played for a large number of clubs, including Kyiv’s Dynamo, Dnipro, and even the russian Zenit.
He played five matches for the Ukraine national team as a midfielder (1998–2002).
He had been considered missing in action since the beginning of 2025; in recent days, DNA testing confirmed his death.
“Please remember my Roma. He was not just missing in action. He was a husband, a father, a son, a friend. A person who was loved and awaited,” his wife Vira wrote about her husband.
Condolences to his family and loved ones.
Eternal memory to the fallen defender…
— Vladyslav Heraskevych OLY (@heraskevych) October 17, 2026
Ai ishte regjistruar vullnetarisht në ushtri në vjeshtën e vitit 2022, pas pushtimit në shkallë të gjerë nga forcat ruse. Shërbeu si artilier në Brigadën e 25-të Ajrore. Fillimisht u vendos në Lutsk, më pas u transferua në frontin e Kharkivit dhe në fund në atë të Pokrovskut. Pas tërheqjes nga futbolli në vitin 2011, ai kishte marrë licencën e trajnerit, por nuk arriti të krijonte një karrierë të qëndrueshme në këtë profesion. Përpara luftës punonte si magazinier në një supermarket në Lutsk. Gjatë muajve të parë të pushtimit, kishte marrë pjesë edhe në turne bamirësie futbolli së bashku me veteranë të tjerë, me synimin për të mbledhur fonde në mbështetje të luftës.
Lajmi për vdekjen e tij është pasqyruar gjerësisht nga mediat ukrainase. Që në qershor të vitit 2025, kur ai konsiderohej ende i zhdukur, kombëtarja ukrainase e kishte nderuar përpara miqësores kundër Kanadasë në Toronto. Lojtarët kishin dalë në fushë me fanellën e tij të Volyn Lutsk, klubit të fundit ku kishte luajtur, si dhe me xhaketën e tij ushtarake.