Sali Berisha ka marrë pjesë sot në pritjet që po mbahen për ngushëllim nga familja e Ilir Metës pas vdekjes së babait të këtij të fundit. Berisha është pritur fillimisht në hollin e hotelit në kryeqytet nga Tedi Blushi, për t’u futur më pas në sallën ku bëhen pritjet për ngushëllim.
Pas daljes nga hoteli ku bëhet pritjet, Berisha foli për gazetarët, ku përveç ngushëllimeve, akuzoi se arrestimi i Metës është politik.
“Kryetarit të partisë së dytë më të madhe opozitare, Ilir Metës, i shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të babait të tij, një njeri i respektuar dhe i devotshëm. Duke i shprehur ngushëllime atij dhe familjes, dënoj me forcën më të madhe arrestimin e tij.
Një farsë e turpshme, një farsë që mbahet gjallë nga një ish-xhelat i Sigurimit të Shtetit dhe të tjerë, me falsitete. E thotë Viktor Hygoi diku, çobani i bagëtive të egra është më i egër se ato. Bastardi i egërsirave, i xhelatëve të komunistëve është më i egër se vetë ata.
Dëgjoni, ju duhet të bëni investigim. Unë ftoj mediat të bëjnë investigim. Dëgjoni se çfarë bëjnë, dorëzojnë dokumente të cilat faktojnë se kanë ngritur akuzën mbi falsitet dhe nuk do i jepen LSI-së për dy vite, nuk duhet t’i shohin se nuk duan t’u dalin akuzat fale, të turpshme që kanë lëshuar ndaj tij.
Edhe njëherë u them, asnjëra prej akuzave ka absolutisht zero substancë. E mban Edi Rama vetëm nga frika dhe tmerri, sepse siç e shihni ju, ai tani mbahet në çdo fije bari, është i aftë për çdo akt, pasi në fakt është një kufomë e pakallur”, u shpreh Berisha.
Meta është lejuar dje dhe sot nga SPAK që të lërë qelinë dhe të përcjellë drejt banesës së fundit të atin, si dhe të presë sot ngushëllime.