Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, tha se aktualisht nuk ka ndërmend të zhvillojë takime me zyrtarë amerikanë nga “ekipet teknike” në Katar këtë javë.
“Edhe pse konsultimet me Katarin, përfshirë ndjekjen e zbatimit të angazhimeve të palës tjetër, po vazhdojnë si zakonisht, lajmet nga disa media se bisedimet teknike nga grupet e punës do të mbahen në Doha nuk mund të konfirmohen”, tha Gharibabadi në një deklaratë në Telegram.
“Raundi i parë i bisedimeve teknike brenda kuadrit të grupeve të punës të caktuara do të mbahet kur të plotësohen kushtet dhe pasi të arrihet një marrëveshje për datën dhe vendndodhjen. Konsultimet në këtë drejtim po vazhdojnë përmes vendeve ndërmjetëse”, shtoi ai.
Më parë, disa media, raportuan se bisedimet SHBA-Iran pritet të zhvillohen në kryeqytetin e Katarit, Doha, të martën.