Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ishte një nga zërat më kritikë brenda PS-së ndaj reformës territoriale, por në seancën plenare votoi pro saj.
Pas votimit, Braçe deklaroi se vijon të jetë kundër hartës së re, pavarësisht votës së tij në Kuvend.
I pyetur nga gazetarët për arsyen e këtij qëndrimi, ai tha se do ta shpjegojë vendimin një ditë më vonë.
“Jam kundër, do e sqaroj nesër”, tha Braçe teksa po largohej nga Kuvendi.
Gazetari: Ç’u bë, zoti Braçe, reformën territoriale…
Erion Braçe: Jam kundër, po prapë reformën…
Gazetari: Pse votuat, pro, zoti Braçe?
Erion Braçe: E shpjegoj nesër.
Gazetari: E konsideruat këtë ditën më të vështirë? Pse vendoset në momentin e fundit të votoni pro?
Erion Braçe: …qytetarët…
Gazetari: Pse vendosët që në momentin e fundit të votoni pro, ju…?
Erion Braçe: Jam kundër, edhe një herë. Jam kundër kësaj harte…
Gazetari: Por nuk zgjodhet qytetari, zgjodhët partinë.
Erion Braçe: Jo, kam zgjedhur eksaktësisht qytetarin.
Projektligji për reformën territoriale parashikon uljen e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46. Sipas hartës së propozuar, 15 bashki do të humbasin statusin si njësi më vete dhe do t’i bashkohen bashkive të tjera.
Fushë-Arrëzi i bashkohet Pukës.
Klosi i bashkohet Matit.
Rrogozhina i bashkohet Kavajës.
Dimali i bashkohet Beratit.
Poliçani i bashkohet Beratit.
Patosi i bashkohet Fierit.
Divjaka i bashkohet Lushnjës.
Selenica i bashkohet Vlorës.
Maliqi i bashkohet Korçës.
Këlcyra i bashkohet Përmetit.
Memaliaj i bashkohet Tepelenës.
Libohova i bashkohet Gjirokastrës.
Cërriku i bashkohet Elbasanit.
Belshi i bashkohet Elbasanit.
Përrenjasi i bashkohet Librazhdit.