Turizmi kulturor, vizitorët u rritën me 45%, kryeson Muzeu i Krujës dhe Kalaja e Gjirokastrës

Rritja e përgjithshme e numrit të turistëve në vend gjatë këtij viti ka dhënë efektet e tij në çdo segment përfshirë këtu vizitat në muze dhe parqe arkeologjikë.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit tregojnë se në 8 muajt, janar-gusht numri i përgjithshëm i vizitorëve i raportuar në këto institucione kulturore ishte më shumë se 643 mijë me një rritje prej 45 për qind me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vetëm në muzetë në gjithë vendin janë raportuar mbi 231 mijë vizitorë me një rritje 41 për qind në këtë 8 mujor krahasuar me të njëjtin të vitit 2022. Muzeu më i vizituar në vend mbetet ai i Krujës me rreth 65 mijë vizitorë në janar-gusht 2023 me një rritje 48% për qind krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë në vend të dytë vjen muzeu Historik i Tiranës i cili u vizitua në 8 muaj nga 59 mijë vizitorë apo me një rritje 91 për qind në raport me të njëjtën periudhë të 2022. Muzeu Ikonografik i Beratit renditet i treti me rreth 44 mijë vizitorë ku rritja është 82 për qind krahasuar me një vit më parë ndërkohë që Muzeu “Shtëpia me Gjethe” është i katërti me rreth 31 mijë vizitorë.

Kategoria tjetër e institucioneve kulturore të vizituara i takon kalave ku në total janë mbi 179 mijë vizitorë në gjithë vendin deri në fund të gushtit . Rritja në raport me një vit më parë është 79 për qind.

Në krye qëndron Kalaja e Gjirokastrës me 140 mijë vizitorë dhe një rritje 67 për qind në raport me një vit më parë. Ndërkohë që në vend të dytë vjen Amfiteatri në Durrës dhe më pas Kalaja e Porto Palermos me respektivisht 18.3 mijë dhe 13.3 mijë vizitorë secila për 8 mujor.

Në parqet arkeologjike të vendit numri i raportuar i vizitorëve deri në fund të gushtit ishte mbi 232.5 mijë vizitorë dhe me një rritje 39 për qind në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në krye si më i vizituar rezulton Parku Arkeologjik Shkodër me mbi 86 mijë vizitorë dhe një rritje 24 për qind në raport me 8 mujorin e një viti më parë.

I dyti është Parku Arkeologjik i Butrintit me 80 mijë vizitorë dhe një rritje 43 për qind. Në vend të tretë është Parku Arkeologjik i Apolonisë me 55 mijë vizitorë dhe një rritje 62 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Ministria e Turizmit raportoi se vetëm gjatë muajit gusht që është edhe piku i sezonit turistik institucionet kulturore janë vizituar nga 185,305 vizitorë. Gjatë këtij muaji kemi një rritje prej 34 % krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraardhës. Të ardhurat nga Institucionet Kulturës për muajin Gusht 2023 ishin 73,4 milionë lekë./MONITOR

 

 

 

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top