Tuchel, shtypi britanik zbulon kushtin e FA angleze: “Botërori 2026 ose lamtumirë”

Të mërkurën, Federata e Futbollit (FA) njoftoi se Thomas Tuchel do të jetë trajneri i ri i Anglisë. Gjermani do të zëvendësojë trajnerin e përkohshëm Lee Carsley duke filluar nga janari i vitit 2025, duke u bërë kështu trajneri i tretë i huaj në historinë e Anglisë, pas Eriksson dhe Capellos. CV-ja e ish-trajnerit të Bayern Munich, Chelsea, PSG dhe Borussia Dortmund flet vetë: në nivel ndërkombëtar, ai ka fituar një Champions League, një Botëror për Klube dhe një Superkupë Evropiane me Chelsea, ndërsa në nivel kombëtar ka tetë tituj. Megjithatë, pavarësisht këtyre trofeve, reagimet që ka shkaktuar emërimi i tij në Angli kanë qenë të ndryshme dhe shtypi anglez duket se ka qenë më pak i lumturi për të dhënë lajmin.

REAGIMI I MEDIAVE

Gazeta më kritike ka qenë “Daily Mail”, që filloi sulmet që në mëngjesin e djeshëm kur lajmi ishte ende i pa zyrtarizuar. “Një ditë e errët për Anglinë” ishte titulli i faqes së parë të gazetës, që sot e përforcoi më tej me frazën “Më falni, jam gjerman”. Referenca është për atë që Tuchel tha të mërkurën gjatë konferencës së tij për shtyp, ku u shpreh në dilemë nëse duhet apo jo të këndonte “God Save the King”, himnin e famshëm anglez.

Të kesh një trajner të një kombësie tjetër në krye të ekipit nuk duket bindëse as për gazetën “Mirror”, e cila i ka kushtuar sot faqen e parë trajnerit të ri me titullin “Alf Wiedersehen”. Kjo lojë fjalësh kombinon fjalën “mirupafshim” në gjermanisht dhe emrin e Alf Ramsey, trajnerit që në vitin 1966 drejtoi Anglinë drejt fitores së parë dhe të vetme në Kupën e Botës, duke lënë të kuptohet se ose Tuchel duhet ta fitojë trofeun, ose do të largohet.

Të njëjtin koncept, por të shprehur ndryshe, e paraqet edhe “Daily Telegraph”: “Kjo detyrë do të jetë ose fitore, ose dështim”. Pra, nëse Tuchel ka përsëritur disa herë se dëshiron t’i dhurojë Anglisë yllin e dytë të Kupës së Botës, duket se tani shtypi nuk i lejon atij asnjë rezultat tjetër. “The Guardian”, me titullin “18 muaj për të fituar Kupën e Botës”, ka nisur tashmë numërimin mbrapsht.

MBËSHTETJE “MBRETËRORE”

I vetmi që nuk i referohet trofeut të shumëpritur është gazeta “Metro”, e cila nuk sulmon trajnerin, por thjesht citon një pjesë nga prezantimi i tij i djeshëm: “Do t’ju fitoj zemrën”. Shumë besojnë se Tuchel, nga ana e tij, nuk do t’i kushtojë shumë vëmendje asaj që shtypi do të thotë apo shkruajë, duke u fokusuar ekskluzivisht në fushë, ku mund të marrë edhe disa vendime të vështira. Edhe për faktin se miratimin më të rëndësishëm e ka marrë direkt nga familja mbretërore angleze, që në rrjetin X ka shkruar: “Fat të mbarë, Thomas. Jemi të gjithë me ty”.

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top