Tuchel ndryshon Anglinë me një fjalim të shkurtër: “U ula me ta”. Më pas 4 gola ndaj Kroacisë

Anglia e nisi Botërorin 2026 në mënyrë triumfuese. Vuajti, pati momente pasigurie, por në fund fitoi 4-2 ndaj Kroacisë, e cila edhe këtë herë do t’i hapë probleme kujtdo. Rezultati 4-2 bie në sy dhe mund të kishte qenë edhe më i thellë nëse Livakovic nuk do të kishte bërë një seri pritjesh në pjesën e dytë. Pas ndeshjes, Tuchel, i cili si të gjithë trajnerët e Anglisë është gjithmonë nën presion të madh, foli për transformimin e skuadrës së tij dhe shpjegoi çfarë u kishte thënë lojtarëve gjatë pushimit.

Debutimi në një Botëror është gjithmonë i ndërlikuar, tensioni ndihet kudo, e aq më tepër kur përballesh me një skuadër që ka dalë e dyta dhe e treta në dy edicionet e fundit të Kupës së Botës. Harry Kane shënoi dy gola në pjesën e parë, duke arritur në kuotën e 10 golave në Botëror, në ndjekje të Messi-t dhe Mbappé-së. Penalltinë iu desh ta godiste dy herë, pasi tentativën e parë e kishte humbur, më pas realizoi edhe një gol të bukur me kokë. Kroacia, megjithatë, u përgjigj goditje për goditje. Fillimisht me talentin Baturina dhe më pas djalin e shtëpisë, Musa. Dhe e bëri këtë duke përfituar nga dy momentet kur anglezët, pas golave të shënuar, ulën ndjeshëm ritmin.

Në pjesën e dytë, Anglia ishte krejtësisht ndryshe, sikur në pushim të kishte marrë një goditje elektrike. Bellingham shënoi për 3-2, më pas erdhën një lumë rastesh për golin e katërt, që mbërriti vetëm në fund me Rashford. Por në të vërtetë Livakovic ishte i jashtëzakonshëm. Një fitore me peshë të madhe për moralin dhe për grupin, praktikisht tashmë në kontroll, pasi për vendin e parë do të mjaftojnë katër pikë ndaj Ganës dhe Panamasë.

Fjalimi i Tuchel në pushimin e Angli-Kroaci

Pas ndeshjes, Tuchel u pyet se çfarë u kishte thënë lojtarëve për t’i transformuar nga ana morale dhe mendore. Trajneri gjerman shpjegoi: “U ula me ta. I lashë pak kohë secilit. U thashë të qetësoheshin, të rrinin të qetë, të kontrollonin nervat dhe i inkurajova të bënin gjërat sipas mënyrës sonë”.

Fillimisht aspekti mendor, më pas ai teknik: “Shtova se perceptimi im për ta dhe për 17 ditët e fundit të punës nuk do të ndryshonte në bazë të rezultatit”. Më pas u kërkoi të ishin të guximshëm, të vendosur, proaktivë dhe mbi të gjitha të luanin si skuadër: “Fjalimi ishte i qetë dhe i matur. Nëse thonë se ka shërbyer, aq më mirë. Mesazhi kryesor ishte t’i inkurajoja”.

Pasi rezultati u sigurua, “doktor” Tuchel, i quajtur “profesori” sepse ka diplomë në ekonomi biznesi, nuk deshi t’i jepte vetes merita të tepruara: “Skuadra luajti një pjesë të dytë fantastike, më pëlqeu reagimi i tyre. Krijuam shumë raste, patëm shumë posedim topi dhe shënuam dy gola, e meritonim fitoren”.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top