Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar në platformën Truth se ka urdhëruar një “bllokadë totale dhe të plotë” të të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela. Sipas tij, vendi i Amerikës së Jugut është i rrethuar plotësisht nga flota më e madhe detare e mbledhur ndonjëherë në historinë e Amerikës së Jugut.
Trump paralajmëroi se kjo flotë “vetëm do të rritet” dhe se presioni do të jetë i pashembullt derisa, sipas tij, Venezuela të kthejë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të gjithë naftën, territoret dhe asetet e tjera që na janë vjedhur më parë.
Në deklaratën e tij, Trump e cilësoi qeverinë e presidentit Nicolás Maduro si një “regjim të paligjshëm”, duke e akuzuar se përdor naftën për të financuar terrorizmin e lidhur me drogën, trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe aktivitete kriminale si vrasjet dhe rrëmbimet. Ai shtoi se, për këto arsye, regjimi venezuelian është përcaktuar si një organizatë terroriste e huaj.
“Prandaj, sot po urdhëroj një bllokadë totale dhe të plotë të të gjitha cisternave të sanksionuara të naftës që hyjnë dhe dalin nga Venezuela”, deklaroi Trump, duke shtuar se emigrantët dhe kriminelët e paligjshëm që, sipas tij, u dërguan në SHBA gjatë administratës Biden, po riatdhesohen në Venezuelë me një ritëm të shpejtë.
Nga ana tjetër, qeveria e Venezuelës reagoi ashpër, duke e quajtur njoftimin e Trump një “kërcënim grotesk”. Sipas autoriteteve në Karakas, Trump synon të imponojë një bllokadë ushtarake detare “të paarsyeshme”, me qëllim, sipas tyre, vjedhjen e pasurisë venezueliane.