Trump sulmon ashpër John Bolton: Është një njeri i ulët!

Presidenti amerikan Donald Trump ka komentuar ashpër për ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, John Bolton, duke e quajtur atë “një njeri të ulët”.

“Unë nuk jam fans i John Bolton. Është një lloj i ulët… Nuk di asgjë për këtë. Thjesht e pashë këtë mëngjes… I them Pam dhe grupit që nuk dua të di gjë për këtë. Ju duhet të bëni atë që duhet të bëni,” tha Trump.

Deklarata vjen në një moment kur marrëdhëniet e tij me ish-bashkëpunëtorin e ngushtë kanë qenë prej kohësh të tensionuara, veçanërisht pas kritikave të Bolton ndaj administratës së tij.

Por, mbi të gjitha, në një kohë kur FBI-ja ka bastisur shtëpinë e ish-këshilltarit të lartë, në një hetim të profilit të lartë.

Agjentët federalë kanë kryer një bastisje dramatike herët në mëngjes në shtëpinë e John Boltonit, ish-këshilltarit për sigurinë kombëtare të Presidentit Donald Trump, në Bethesda, Maryland, si pjesë e një hetimi të profilit të lartë për sigurinë kombëtare.

Bastisja ndodhi rreth orës 07:00 të së premtes dhe thuhet se është urdhëruar nga Drejtori i FBI-së, Kash Patel.

Hetimi ka të bëjë me dokumente të klasifikuara dhe burime bëjnë me dije se ai kishte filluar disa vite më parë, por u ndërpre gjatë administratës Biden “për arsye politike”.

Bolton është kritikuar më parë për përfshirjen e informacionit të ndjeshëm në librin e tij të vitit 2020, The Room Where It Happened, që përshkruan periudhën e tij në administratën Trump. Trump kishte tentuar të ndalonte publikimin e librit, duke akuzuar Bolton për shkelje të marrëveshjes së moszbulimit (NDA), por nuk kishte sukses.

Kash Patel reagoi më pas për bastisjen në X (ish-Twitter), duke postuar një mesazh të koduar: “ASKUSH nuk është mbi ligjin… @FBI në mision”.

Ky zhvillim shënon një nga veprimet ligjore më të profilit të lartë kundër një ish-zyrtari të administratës Trump, duke rikthyer vëmendjen tek shqetësimet për sigurinë kombëtare rreth dokumenteve të klasifikuara.

Kujtojmë se vetëm 2 muaj më parë, Bolton doli në skenë si ‘avokat i zellshëm’ i Sali Berishës me një intervistë në median shqiptare, duke e cilësuar “të padrejtë” shpalljen non grata të ish-kryeministrit nga SHBA dhe duke kërkuar që ky vendim të rishihej nga administrata Trump.

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top