Trump shpërthen ndaj Netanyahut, e quan “të çmendur” dhe ndalon sulmin ndaj Bejrutit

Presidenti amerikan Donald Trump pati një përplasje të ashpër me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu gjatë një telefonate të zhvilluar të hënën, ku përdori gjuhë të rëndë dhe e akuzoi liderin izraelit se po rrezikon interesat e SHBA-së në Lindjen e Mesme. Lajmi bëhet i ditur nga media amerikane Axios, duke cituar dy zyrtarë amerikanë dhe një burim tjetër të informuar mbi përmbajtjen e bisedës.

Sipas burimeve, Trump ishte veçanërisht i zemëruar me përshkallëzimin e operacioneve ushtarake izraelite në Liban, në një moment kur Uashingtoni po përpiqet të avancojë negociatat me Iranin. Më herët gjatë ditës, Teherani kishte kërcënuar se mund të tërhiqej nga bisedimet me SHBA-në për shkak të veprimeve të Izraelit në Liban.

Një zyrtar amerikan tha se Trump i kërkoi Netanyahut të mos vazhdonte me planet për goditjen e Bejrutit, duke paralajmëruar se një veprim i tillë do ta izolonte edhe më shumë Izraelin në arenën ndërkombëtare. Sipas dy burimeve të cituara nga Axios, Trump i kujtoi Netanyahut mbështetjen që i kishte dhënë gjatë proceseve gjyqësore për korrupsion në Izrael dhe e akuzoi për mungesë mirënjohjeje.

Duke përmbledhur tonin e presidentit amerikan gjatë telefonatës, një zyrtar tha se Trump i është drejtuar Netanyahut me fjalët:

“Je i çmendur. Do të ishe në burg po të mos isha unë. Po të shpëtoj. Tani të gjithë të urrejnë. Të gjithë e urrejnë Izraelin për shkak të kësaj.”

Një tjetër burim tha se Trump ishte “jashtëzakonisht i zemëruar” dhe në një moment i bërtiti kryeministrit izraelit: “Çfarë dreqin po bën?”

Sipas zyrtarëve amerikanë, Trump e pranon se Hezbollahu ka kryer sulme ndaj Izraelit dhe se Izraeli ka të drejtë të mbrohet, por ai beson se Netanyahu po e çon konfliktin përtej çdo proporcioni të arsyeshëm. Përveç kërcënimeve për goditje në Bejrut, Izraeli ka zgjeruar edhe operacionin tokësor në jug të Libanit.

Një tjetër zyrtar amerikan tha se Trump është i shqetësuar nga numri i lartë i viktimave civile në Liban dhe kundërshton praktikën e shkatërrimit të ndërtesave të tëra për të eliminuar një komandant të vetëm të Hezbollahut.

Pas telefonatës, Izraeli ka hequr dorë nga planet për të goditur objektiva të Hezbollahut në Bejrut, tha një zyrtar izraelit për Axios.

Marrëdhëniet mes Trump dhe Netanyahut kanë njohur tensione edhe më parë, megjithëse të dy kanë bashkëpunuar ngushtë për çështje si Irani dhe siguria rajonale. Sipas një zyrtari amerikan, kjo ishte një nga telefonatat më të këqija mes dy liderëve që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Burimet thonë se zemërimi i Trump lidhej kryesisht me frikën se përshkallëzimi i konfliktit në Liban mund të shkatërrojë negociatat që SHBA po zhvillon me Iranin. Menjëherë pas bisedës me Netanyahun, presidenti amerikan publikoi një mesazh në Truth Social ku deklaroi se bisedimet me Teheranin po “vazhdojnë me ritëm të shpejtë”. Nga ana e tij, Netanyahu konfirmoi se kishte biseduar me Trumpin, por këmbënguli se Izraeli do të vazhdojë operacionet në Liban nëse Hezbollahu nuk ndalon sulmet.

“Qëndrimi ynë mbetet i njëjtë”, deklaroi kryeministri izraelit.

Megjithatë, një zyrtar amerikan i tha Axios se në realitet Trump e kishte detyruar Netanyahun të tërhiqej nga planet për Bejrutin.

“Bibi tha: ‘Në rregull, në rregull, vetëm sigurohu që gjithçka të zgjidhet’”, citohet të ketë thënë zyrtari.

Sipas Axios, memorandumi që po negociohet mes SHBA-së dhe Iranit përfshin edhe një klauzolë për përfundimin e luftimeve në Liban, çështje që ka qenë burim tensionesh të vazhdueshme mes Trump dhe Netanyahut.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top