Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se “nuk i intereson fare” nëse Irani do të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026, mes tensioneve të forta pas sulmeve ushtarake amerikane dhe izraelite ndaj territorit iranian.
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Në një intervistë për POLITICO, Trump u shpreh: “Nuk më intereson nëse Irani merr pjesë. Mendoj se Irani është një vend i mundur keq. Janë në fund të forcave të tyre.”
Irani ishte skuadra e parë që siguroi kualifikimin për Botërorin 2026, por mungoi në një takim organizativ të thirrur nga FIFA këtë javë në Atlanta. Mungesa e delegacionit iranian ka ngritur pikëpyetje nëse Teherani do të dërgojë ekipin në turneun që do të zhvillohet në Amerikën e Veriut, ndërkohë që konflikti rajonal është përshkallëzuar.
Sipas kalendarit aktual, Irani pritet të luajë ndaj Zelandës së Re më 15 qershor, në Los Anxhelos, ndaj Belgjikës, më 21 qershor, po në Los Anxhelos, dhe kundër Egjiptit, më 26 qershor, në Seattle. Ekziston edhe mundësia e një përballjeje direkte me SHBA-në në fazën me eliminim direkt, nëse të dyja skuadrat përfundojnë të dytat në grupet respektive.
Presidenti i Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Taj, ka deklaruar se pas sulmeve “nuk mund të pritet që ta shohim Botërorin me shpresë”, duke lënë të hapur mundësinë e një tërheqjeje.