Trump njofton tarifa 100% për filmat e prodhuar jashtë SHBA-së

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi dje, të dielën se po fillon menjëherë procesin e vendosjes së tarifave doganore 100% për filmat e shpërndarë në kinematë amerikane që janë prodhuar jashtë vendit.

“Industria amerikane e filmit po vdes shumë shpejt (…) Hollywoodi dhe shumë zona të tjera në SHBA po shkatërrohen”, pohoi Trump nëpërmjet Truth Social.

Ai u shpreh se vende të tjera po ofrojnë të gjitha llojet e stimujve për të joshur regjisorët dhe kompanitë amerikane. Sipas tij, kjo është një përpjekje e koordinuar nga vendet e tjera që përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare amerikane.

Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë, republikani ka urdhëruar hetime të shumta mbi “implikimet e sigurisë kombëtare” të importeve të të gjitha llojeve, nga gjysmëpërçuesit te metalet e rralla. Çdo hetim i kësaj natyre është hapi i parë i nevojshëm në mënyrë që presidenti amerikan të mund të vazhdojë me nënshkrimin e urdhrave ekzekutivë që vendosin tarifa për produktet e importuara me arsyetimin se sasia e tyre që hyn në vend kërcënon sektorët përkatës amerikanë.

Megjithatë, ai nuk dha asnjë detaj mbi termat dhe kushtet për vendosjen e tarifave shtesë doganore për filmat e prodhuar jashtë SHBA-së. Ky veprim përbën një përshkallëzim të ri të luftës tregtare që presidenti amerikan ka nisur kundër praktikisht të gjithë partnerëve të vendit të tij.

Kina, e cila është veçanërisht e shënjestruar nga Presidenti Trump në këtë fushë, njoftoi në fillim të prillit se do të zvogëlonte, “në mënyrë të matur”, numrin e filmave amerikanë të shpërndarë në kinematë në territorin e saj, si pjesë e reagimit të saj ndaj vendosjes së tarifave ndëshkuese amerikane – shpesh penguese – për produktet e saj të eksportuara në tregun amerikan.

Pekini tashmë kufizon, duke përdorur një sistem kuotash, numrin e filmave të huaj të shpërndarë në kinematë në territorin kinez. Çdo reduktim i mëtejshëm i aksesit në këtë treg të veçantë kinez – i dyti më i madh në botë, pas SHBA-së, për sa i përket xhiros – do të godiste rëndë të ardhurat e studiove të Hollivudit.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top