Vendimi i administratës së Donald Trump për të tërhequr rreth 5 mijë trupa amerikane nga Gjermania është akti radhës me ngarkesë politike, që reflekton sërish përplasjen e hapur mes Uashingtonit dhe Berlinit. Në versionin zyrtar, Pentagon e paraqet këtë lëvizje si pjesë e një “rishikimi të plotë të pozicionimit të forcave”, ndërsa zëdhënësi Sean Parnell deklaron se “ky vendim vjen pas një rishikimi të plotë të pozicionimit të forcave të departamentit në Europë dhe në njohje të kërkesave të teatrit dhe kushteve në terren”. Por pas këtij formulimi standard burokratik fshihet një logjikë shumë më e drejtpërdrejtë: përdorimi i instrumenteve ushtarake për të dhënë sinjale politike ndaj një aleance që ka shfaqur mosmarrëveshje.
Sipas zyrtarëve amerikanë që kanë folur në kushte anonimiteti për NYTimes, vendimi synon të ndëshkojë Gjermaninë për dy arsye të qarta, mungesën e kontributit të drejtpërdrejtë në luftën kundër Iranit dhe kritikat publike të kancelarit Merz ndaj strategjisë amerikane në Lindjen e Mesme. Në këtë kuptim, lëvizja zhvishet nga nuancat e një manovre ushtarake dhe tregon se bashkëpunimi nuk është më i njëjti.
Ky tension u kristalizua kur kancelari Friedrich Merz kritikoi publikisht qasjen e SHBA-së ndaj Iranit, duke deklaruar se Irani kishte “poshtëruar” Shtetet e Bashkuara dhe se “amerikanët duket qartë që nuk kanë strategji”. Në një kontekst normal diplomatik, deklarata të tilla do të zbuteshin përmes kanaleve të mbyllura. Por në një klimë ku politika e jashtme shpesh kalon përmes reagimeve personale të liderëve, ato u shndërruan në shkëndijën e një përplasjeje më të gjerë.
Reagimi i Trump ishte i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë. Ai paralajmëroi publikisht se “Shtetet e Bashkuara po studiojnë dhe po rishikojnë reduktimin e mundshëm të trupave në Gjermani, me një vendim që do të merret në një periudhë të shkurtër kohe”, për të vijuar më pas me një sulm personal ndaj Merz: “Kancelari i Gjermanisë duhet të kalojë më shumë kohë për të përfunduar luftën me Rusinë/Ukrainën (ku ka qenë krejtësisht i paefektshëm!), dhe duke rregulluar vendin e tij të dëmtuar, sidomos emigracionin dhe energjinë, dhe më pak kohë duke ndërhyrë tek ata që po eliminojnë kërcënimin bërthamor iranian”.
Ajo që e bën këtë episod të ndryshëm nga përplasjet e zakonshme retorike është fakti se kërcënimi është materializuar. Tërheqja e trupave do të realizohet brenda 6 deri në 12 muajve dhe shoqërohet me anulimin e një plani të rëndësishëm të epokës së Joe Biden për vendosjen në Europë të një njësie artilerie të pajisur me raketa. Në të njëjtën kohë, Pentagoni ka nisur tashmë një riorganizim gradual të pranisë në Europë, duke mos zëvendësuar një brigadë të zhvendosur më herët në Rumani. Në terma praktikë, kjo e kthen praninë amerikane në nivelet e vitit 2022, përpara se Rusia të niste luftën në Ukrainë, një detaj që tregon se reduktimi është pjesë e një tendence më të gjerë rishikimi.
Megjithatë, dimensioni strategjik mbetet paradoksal. Edhe pas këtij reduktimi, Gjermania do të vazhdojë të mbajë mbi 30 mijë trupa amerikane, duke mbetur baza e dytë më e madhe e SHBA-së në botë pas Japonisë. Kjo nuk është rastësi. Infrastrukturat ushtarake në Gjermani janë thelbësore për operacionet amerikane në tre kontinente. Komandat për Europën dhe Afrikën janë të vendosura aty, ndërsa gjatë konfliktit me Iranin, Gjermania është përdorur si qendër tranziti për trupat e evakuuara nga Lindja e Mesme dhe si bazë trajtimi për të plagosurit, të cilët janë dërguar në qendra si Landstuhl pranë bazës ajrore Ramstein. Edhe vetë Pentagoni ka sqaruar se reduktimi nuk do të prekë këto struktura mjekësore, çka tregon se funksioni kritik i Gjermanisë mbetet i paprekur.
Amerika dhe Europa s’po flenë më në një shtrat. A do të divorcohen?
Kjo e bën të qartë se vendimi nuk buron nga një nevojë operative, por nga një kalkulim politik. Dhe pikërisht këtu hyn në lojë gabimi i Berlinit. Deri në momentin e fundit, shumë zyrtarë gjermanë besonin se paralajmërimet e Trump ishin një taktikë presioni, një “bllof” i përsëritur nga mandati i tij i parë, kur përpjekjet për tërheqje kishin dështuar për shkak të rezistencës institucionale dhe nevojës për miratim nga Kongresi. Vetë Merz kishte deklaruar pas një takimi në Uashington se “Presidenti Trump më ka garantuar jo vetëm sot, por edhe një herë tjetër, që Shtetet e Bashkuara do të ruajnë praninë e tyre ushtarake në Gjermani”. Në këtë kuptim, vendimi aktual përbën një përmbysje të drejtpërdrejtë të këtij premtimi, por edhe ndryshim të perceptimit për Trump.
Pas shpalljes së vendimit, reagimi gjerman ka qenë i fortë. Zëvendëskancelari Lars Klingbeil e përshkallëzoi më tej konfliktin, duke deklaruar: “Nuk kemi nevojë për këshilla nga Donald Trump. Ai duhet të shohë rrëmujën që ka krijuar”. Kjo tregon se Berlini nuk ka zgjedhur rrugën e tërheqjes, por të qëndresës retorike, edhe pse kostoja tashmë është bërë e prekshme.
Në sfond të kësaj përplasjeje qëndron një debat më i thellë mbi natyrën e aleancës transatlantike. Gjermania ka tentuar të balancojë mbështetjen ndaj SHBA-së me kufizimet e saj kushtetuese dhe me kërkesën për një mandat ndërkombëtar në operacione ushtarake, duke propozuar për shembull pjesëmarrje në misione sigurie vetëm nëse ka një armëpushim të qëndrueshëm dhe një mandat nga organizata si OKB apo BE. Por për administratën Trump, këto kushte interpretohen si hezitim dhe mungesë vullneti politik.
Në këtë kuadër, tërheqja e trupave shërben si një kujtesë se garancia amerikane e sigurisë është tejet e kushtëzuar nga rreshtimi politik. Për Gjermaninë, gabimi qëndron te kritika ndaj SHBA-së, por edhe tek bindja se kjo kritikë mund të artikulohej pa pasoja konkrete. Por në realitetin aktual, ku politika e jashtme ndërthuret me reagimet personale të liderëve, ky është një luks që aleatët nuk e kanë më.