Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi sot se Izraeli dhe Hamasi janë “afër arritjes së një lloj marrëveshjeje” për një armëpushim të mundshëm në konfliktin në Gaza.
“Patëm një takim të shkëlqyer në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe mendoj se jemi shumë pranë një marrëveshjeje,” tha Trump gjatë një deklarate nga Zyra Ovale para takimit të tij me homologun turk, Rexhep Tajip Erdogan.
Ai theksoi se SHBA po punon ngushtë me vendet arabe, duke përmendur Katarin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordaninë, si pjesë të përpjekjeve për të arritur një zgjidhje paqësore.
“Duam që pengjet të kthehen sa më shpejt, shumë njerëz po vuajnë dhe po humbasin jetën,” shtoi Trump, duke theksuar se po vazhdon diskutimet me Izraelin për finalizimin e marrëveshjes.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara refuzuan vizën Presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, i cili foli përmes videos në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar në procesin e paqes.