Tronditet Selaniku, sulme me bomba artizanale ndaj zyrtarëve të partisë së Mitsotakis

Pesë persona mbetën të plagosur, njëri prej tyre në gjendje të rëndë, pas tre sulmeve me bomba artizanale që goditën banesat e zyrtarëve të partisë në pushtet Demokracia e Re në Selanik, në orët e para të mëngjesit të së martës.

Sipas policisë greke, sulmet u kryen me mjete zjarrvënëse të improvizuara të ndërtuara me bombola të vogla gazi. Në shënjestër ishin banesat e presidentit të komitetit drejtues rajonal të Demokracisë së Re në Selanik, Zisis Ioakeimobits, ish-deputetit Savvas Anastasiadis dhe kandidates së kësaj force politike, Afroditi Nestora.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, udhëtoi drejt Selanikut për të takuar zyrtarët e partisë së tij dhe për t’u informuar mbi gjendjen e të plagosurve. Në një fjalim para deputetëve të Demokracisë së Re, ai e cilësoi ngjarjen një “sulm frikacak, terrorist dhe vrasës”.

Duhet të shpreh turpin dhe zemërimin tim për këtë sulm frikacak, terrorist dhe vrasës. Nuk do të ketë asnjë tolerancë për çdo formë të re terrorizmi”, deklaroi Mitsotakis.

Ai u dërgoi edhe një mesazh autorëve të sulmit: “Do t’ju gjejmë dhe do t’ju çojmë para drejtësisë.”

Policia bëri të ditur se hetimin e ka marrë Njësia Kundër Terrorizmit në bashkëpunim me autoritetet lokale. Sipas gjetjeve të para, autorët dyshohet se lëviznin me motoçikletë dhe vendosën tre mjetet zjarrvënëse njëri pas tjetrit në lagjet Toumba, Pylaia dhe Charilaou të Selanikut.

Autoritetet nuk kanë identifikuar ende autorët dhe nuk kanë bërë të ditur motivin e sulmit, ndërsa hetimet vijojnë.

Greqia është përballur ndër vite me episode të dhunës politike, kryesisht nga grupe të ekstremit të majtë, ndërsa gjatë viteve të krizës ekonomike u regjistruan edhe sulme të lidhura me grupime të ekstremit të djathtë.

Në korrik të vitit 2025, një bombë shpërtheu pranë banesës së kreut të shoqatës së punonjësve të burgjeve në Selanik. Ai nuk u lëndua, por dy persona të tjerë mbetën të plagosur lehtë nga copat e xhamave të thyer. Ndërsa në qershor të vitit 2024, një efektiv policie që ruante banesën e një gjyqtari të lartë në Athinë u plagos gjatë një sulmi me bombë me benzinë.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top