Partizani ka pësuar një disfatë të rëndë në garën për titull, duke u mposhtur në shtëpi nga Bylis me rezultatin 2-3, në një ndeshje ku gjithçka dukej në favor të kryeqytetasve deri në minutat e fundit. Pas avantazhit të dy golave, skuadra e Veselinovic pëson kthimin e miqve që marrin suksesin në minutat shtesë. Të kuqtë mbeten të fundit në katershen e Final 4 dhe duket se po paguajnë kostot e shitjeve të forta të bëra në janar.
Taipi e Sembene iluzionojnë Partizanin
Të kuqtë nisën sfidën në mënyrë perfekte, duke realizuar dy gola të shpejtë dhe duke krijuar përshtypjen se kishin ndeshjen nën kontroll. Taipi në minutën e 12′ zhbllokoi ndeshjen pas një pasimi të Bintsouka. Kryeqytetasit dyfishuan pas vetëm 3′, kur ish-kapiteni i Kukësit gjen saktë Sembene që me kokë i bëri shifrat 2-0. Megjithatë, Da Silva riktheu shpresat për Bylis duke shënuar shpejt pas avantazhit të dyfishtë të Partizanit. Ky gol mbajti në lojë ballshiotët pavarësisht se ekipi kryeqytetas nuk dukej se kishte vështirësi të mëdha përballë kundërshtarëve të tyre.
Bylis përmbys gjithçka në pjesën e dytë
Në fraksionin e dytë, Partizani luajti më i tërhequr, duke menaxhuar avantazhin, por pa qenë kërcënues në sulm. Trajneri i Bylis, Mezani, bëri një lëvizje taktike të zgjuar, duke hedhur në fushë Mustafën, i cili gjeti menjëherë rrugën e rrjetës dhe barazoi shifrat. “Për futbollin si fenomen mund të flasim pafund, por duket se nga 2-0 jemi përmbysur në 2-3 – pranoi tekniku i të kuqve Alexandar Veselinovic -. Për një analizë më të detajuar duhet të jemi më të qetë, tani nuk është momenti. Sido të jetë, uroj Bylisin për fitoren edhe njëherë”.
I befasuar nga ky gol, Partizani tentoi të kthehej në sulm në minutat e fundit për të siguruar fitoren, por në vend të kësaj u ndëshkua nga një kundërsulm fatal. Ruçi, në kohën shtesë, shënoi golin e tretë për ballshiotët, duke vulosur një përmbysje të pabesueshme dhe një humbje tronditëse për ekipin kryeqytetas. “Realisht kemi ardhur me besimin për të marrë pikë, por pa humbur besimin dhe për ta fituar ndeshjen në nisje – tha tekniku Gentian Mezani pas ndeshjes -. Kur shkuam 2-0, mendova e humbur. Gjatë gjithë kohës i kërkoja skuadrës të dalim para, shikoja Partizanin në vështirësi kur sulmohej, vuante presionin. Kur shkuam barazim, e pashë që nuk kishin forcë për të goditur. I kërkoja përsëri çunave të sulmonin. Janë 3 pikë të mira kundër Partizanit. Duhet t’i mbajmë çunat me këmbë në tokë dhe të kuptojnë se është kampionat i gjatë dhe nuk ka mbaruar asgjë”.
Humbje që rëndon Partizanin, Bylisi fiton pikë jetike
Ky rezultat e thellon edhe më shumë krizën e Partizanit, i cili humbet terren në luftën për pozicionimin komod në dy vendet e para dhe vuan një tjetër tronditje psikologjike. Në anën tjetër, Bylis merr tre pikë të arta në betejën për mbijetesë, duke dëshmuar edhe një herë se nuk do të dorëzohet lehtë në këtë sezon. “Çdokush nga ne e sheh futbollin ndryshe, respektoj çdo mendim tjetër. Dorëheqja? Para së gjithash, kjo nuk është temë për mua. Klubi ka mundësinë për të marrë vendimin”, u shpreh Veselinovic.