Tregu i sigurimeve, në rritje më të ngadaltë për këtë vit

Tregu i sigurimeve vijoi rritjen edhe gjatë muajit tetor, i mbështetur kryesisht nga produktet e sigurimit të detyrueshëm. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në fund të 10-mujorit, primet e shkruara bruto arritën vlerën e 20.3 miliardë lekëve, në rritje me 7.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e tregut këtë vit është më e ngadaltë krahasuar me vitin 2023, ndikuar pjesërisht edhe nga vazhdimi i forcimit të Lekut në kursin e këmbimit valutor.

Sipas të dhënave të AMF-së, për gjysmën e parë të këtij viti afërsisht 33% e primeve të shkruara bruto në sigurime ishin të llogaritura në valutë të huaj, kryesisht në Euro. Duke qenë se statistikat raportohen në lekë, forcimi i monedhës vendase në kursin e këmbimit ka dhënë një efekt negativ në vlerën e primeve të shkruara në valutë të huaj.

Përtej efektit negativ të kursit të këmbimit, struktura e tregut sipas produkteve këtë vit nuk shfaq risi të mëdha. Shumica e produkteve po ndjekin një rritje të ngadaltë dhe organike, me sigurimet e detyrueshme që vazhdojnë të përbëjnë shtyllën kryesore të tregut. Për 10-mujorin, primet e shkruara bruto në tregun e Jo-Jetës u rritën me 7.5%, ndërsa në atë të sigurimit të Jetës me 8.5%. Segmenti i Jo-Jetës vazhdon të dominojë, me gati 92% të primeve të shkruara bruto.

Sigurimet e detyrueshme motorike ngelen mbizotëruese në tregun e Jo-Jetës. Në fund të 10-mujorit, ato përbënin 66.1% të primeve të shkruara bruto, nga 65.9% që zinin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e lehtë e peshës së sigurimeve të detyrueshme motorike ka ardhur kryesisht nga siigurimi i brendshëm motorik TPL, ndërsa ecuri më të dobët shfaqin produktet e Kartonit Jeshil dhe Policës Kufitare. Duke qenë se të dyja këto produkte shiten në Euro, edhe në këtë rast vlerësohet se një ndikim negativ ka dhënë kursi i këmbimit.

Sigurimi i pronës nga katastrofat ngelet produkti kryesor i sigurimit vullnetar, me 10.4% të primeve të shkruara bruto, nga 10.8% që zinte një vit më parë. Vijon sigurimi KASKO i automjeteve, me 8.1% të primeve, nga 7.2% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga ana tjetër, dëmet këtë vit po rriten me ritme ndjeshëm më të larta krahasuar me vitin e kaluar. Në fund të 10-mujorit rritja e tyre arriti në 22.7%, rritje kjo rreth tre herë më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Për10-mujorin, dëmet e paguara bruto kishin vlerën e 7 miliardë lekëve.

Struktura e dëmeve në tregun e Jo-Jetës vazhdon të dominohet nga sigurimet e detyrueshme motorike, me 70% të dëmeve të paguara bruto nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës./ Monitor

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top