Drejtuesi politik i PS në Vlorë, Bledi Çuçi, i pyetur sot nga gazetarët në lidhje me mbylljen e Kadastrës në Vlorë u shpreh se nuk kishte dijeni mbi këtë zhvillim.
“Kur ka dalë vendimi? Sot ka dalë? Nuk e di”, u shpreh Çuçi.
Sakaq, i pyetur nëse do të këmbëngulë që zyra e Kadastrës të mbetet në qytetin bregdetar, Çuçi u shpreh se mendon që “edhe qeveria duhet të vijë në Vlorë”.
Në një deklaratë për mediat, Çuçi theksoi se nuk disponon informacion zyrtar mbi këtë vendim, i cili u bë publik vetëm sot.
Ai shtoi se ende nuk është njohur me përmbajtjen e tij dhe nuk ka detaje për arsyet e mundshme të këtij ndryshimi të papritur.
Vendimi ka shkaktuar reagime edhe nga stafi i Kadastrës së Vlorës. Punonjësit kanë përgatitur një peticion drejtuar Kryeministrit Edi Rama, Drejtorisë së Përgjithshme të Kadastrës dhe Prefektes së Vlorës, duke kërkuar rishikimin e vendimit dhe moslargimin e Kadastrës nga qyteti i Vlorës.