Tragjedia hekurudhore në Spanjë/ Zbulohet se një tren i tretë iu afrua vetëm 2 km vendit të përplasjes

Hetimet për aksidentin tragjik hekurudhor në Spanjë kanë zbuluar detaje të reja shqetësuese. Një tren i tretë, i cili po udhëtonte në drejtim të kundërt nga dy trenat e përfshirë në përplasje, vazhdoi lëvizjen dhe u ndal vetëm rreth dy kilometra larg vendit të aksidentit. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, problemet në sistemin automatik të sigurisë LZB prekën gjashtë trena në një segment prej rreth 63 kilometrash.

Sipas raportimeve nga mediat e huaja, pavarësisht protokolleve që parashikojnë ndërprerjen e qarkullimit në raste të tilla, disa trena vijuan të lëviznin edhe pas përplasjes. Treni i tretë, AVE 02061, ishte nisur nga Sevilja drejt Madridit. Ai u ndal fillimisht për rreth 13 minuta dhe më pas rifilloi lëvizjen, përpara se të ndalonte në një distancë prej afërsisht dy kilometrash nga vendi ku ishin përplasur dy trenat e tjerë.

Hetimet kanë nxjerrë në pah edhe një tjetër problem në menaxhimin e trafikut hekurudhor. Një tren tjetër i kompanisë Iryo kishte marrë udhëzime nga qendra e kontrollit në Madrid për të vijuar normalisht udhëtimin, por makinisti konstatoi rrezikun dhe kërkoi të vazhdonte me shpejtësi të kufizuar, në mënyrë që të mund të ndalonte përpara çdo pengese.

Ndërkohë, është zbuluar se edhe një tren i pestë rifilloi lëvizjen disa minuta pas aksidentit, duke përshkuar një distancë të shkurtër me shpejtësi të ulët. Autoritetet po analizojnë të dhënat e regjistruara nga sistemet e trenave për të përcaktuar nëse janë respektuar procedurat e sigurisë dhe për të zbardhur arsyet që lejuan vijimin e qarkullimit pas defektit të sistemit mbrojtës. Shkaku përfundimtar i tragjedisë mbetet ende nën hetim.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top