Federata Shqiptare e Futbollit shpreh ngushëllimet më të sinqerta për lojtarin e KF Tiranës, Freddy Alvarez, dhe familjen e tij, pas ndarjes tragjike nga jeta të vajzës së tij. Mesfushori nga Kosta Rika, që sapo ka ardhur te Tirana, është goditur nga një ngjarje e rëndë që nuk ka lënë askënd indiferent.
Në shenjë respekti dhe solidariteti në këtë moment të rëndë, si dhe në dakordësi me KF Tiranën dhe KF Flamurtarin, Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se ndeshja Tirana–Flamurtari, e programuar të zhvillohej sot në orën 13:30 në stadiumin “Selman Stërmasi”, është shtyrë.
Takimi do të luhet nesër, në të njëjtën orë, 13:30, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Federata Shqiptare e Futbollit qëndron pranë Freddy Alvarez, familjes së tij dhe KF Tiranës në këtë moment zie.