Dy persona kanë humbur jetën dhe 19 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas shembjes së një ndërtese trekatëshe në Brooklyn të Nju Jorkut. Ngjarja ndodhi pasditen e së mërkurës, më 11 nëntor, në zonën e Flatbush Avenue, duke shkaktuar një operacion masiv shpëtimi. Mes të plagosurve janë shtatë fëmijë dhe një zjarrfikës, ndërsa katër persona ndodhen në gjendje kritike për jetën.
Mediat e huaja bëjnë me dije se, mbi 250 zjarrfikës dhe ekipe emergjence janë angazhuar në kërkimin e personave që mund të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja. Operacioni po zhvillohet në kushte tepër të vështira, për shkak të paqëndrueshmërisë së strukturës dhe rrezikut që pjesë të tjera të ndërtesës të shemben. Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zoran Mamdani, e cilësoi ngjarjen si një katastrofë.
Operacion masiv shpëtimi, frikë për shembje të dytë
Ekipet e para të zjarrfikësve mbërritën në vendngjarje vetëm një minutë pas telefonatës së parë në numrin e emergjencës 911. Ata nisën menjëherë kërkimet mes rrënojave, duke përdorur pajisje speciale për të prerë dhe larguar materialet e shembura. Pamjet nga vendngjarja tregojnë dhjetëra ekipe shpëtimi duke punuar pa ndërprerje, ndërsa në disa momente zjarrfikësit kanë arritur të nxjerrin të mbijetuar nga rrënojat dhe t’i transportojnë drejt ambulancave.
Autoritetet kanë paralajmëruar se ekziston rreziku i një shembjeje të dytë, ndaj ndërhyrja po kryhet me kujdes të jashtëzakonshëm. Kërkimet do të vazhdojnë për disa ditë, deri në momentin kur të konfirmohet se nuk ka më persona të bllokuar. Për të vijuar operacionin gjatë natës, ekipet kanë përdorur qen të trajnuar posaçërisht dhe ndriçues të fuqishëm për të kontrolluar çdo hapësirë të mundshme nën rrënoja.
Një nga elementet që po shqyrtohen nga hetuesit është afërsia e ndërtesës së shembur me një kantier ndërtimi, ku një tjetër godinë ishte shembur për t’i hapur rrugë një projekti të ri. Gjithashtu, pranë objektit të shkatërruar ndodhet një ndërtesë tjetër që ndante një mur të përbashkët me të dhe që ka mbetur në këmbë, por me pjesë të strukturës së ekspozuara.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë pjesë të brendshme të banesave, përfshirë dhoma gjumi dhe dollapë me rroba, të cilat janë bërë të dukshme pas shembjes së murit të jashtëm. Deri më tani, autoritetet nuk kanë përcaktuar shkakun e saktë të shembjes. Hetimet vijojnë, ndërsa përparësi mbetet gjetja e personave të mundshëm nën rrënoja dhe garantimi i sigurisë së ekipeve të shpëtimit.