Vinicius Junior për meshkuj dhe Aitana Bonmati për femra: këta janë protagonistët e parashikuar të ceremonisë që këtë mbrëmje në Théâtre du Châtelet në Paris do të shpallë fituesin e Topit të Artë 2024, trofe i ‘France Football’ i dhënë për futbollistin dhe futbollisten më të mirë në botë për periudhën nga 1 gusht 2023 deri më 31 korrik 2024. Për herë të parë dy fituesit e “pritur” do të marrin pjesë në ceremoninë e dorëzimit pa pasur njoftimin paraprak të kurorëzimit.
FUNDI I NJË EPOKE TË DOMINUAR NGA MESSSI E RONALDO
Megjithatë, ka shumë “parashikime” dhe madje baste për mënyrën se si do të jetë renditja. Ndër meshkuj, ku për herë të parë që nga viti 2003 në listën e “nominuarëve” për çmimin nuk janë as Leo Messi as Cristiano Ronaldo, në krye të garës është, siç është përmendur, Vini Jr. (Real Madrid). Nëse ai e fiton vërtet Topin e Artë, do të jetë braziliani i parë që arrin këtë në 17 vitet e fundit. Para tij, këtë çmim e fitoi Kakà i Milanit në vitin 2007, dhe më pas filloi epoka e CR7 dhe Messi, që u ndërpre vetëm nga Luka Modric në vitin 2018. Për sa i përket femrave, edhe këtu ka një favorite absolute, spanjollja Aitana Bonmati, që do ta fitonte për të dytin vit radhazi.
Vinicius Junior konsiderohet si favorit i madh, duke qenë një nga protagonistët kryesorë të dyfishtë të Real Madridit në sezonin e kaluar. Në Ligën e Kampionëve, ai shënoi dy gola të rëndësishëm kundër Bayern Munich dhe një tjetër në finale kundër Borussia Dortmund, dhe u shpall lojtari më i mirë i kompeticionit më të lartë evropian. Me kombëtaren braziliane nuk pati të njëjtin sukses, pasi Brazili u eliminua në çerekfinalet e Kupës së Amerikës, por ky dështim i pjesshëm, sipas parashikimeve, nuk duhet ta pengojë që të fitojë Topin e Artë.
MESAZH PËR RACIZMIN
Kështu, Vinicius do të pasojë Leo Messin, i cili vitin e kaluar fitoi trofeun e tij të tetë të ‘France Football’, ndërsa Cristiano Ronaldo u ndal në pesë trofe. Tani, njëri në Miami dhe tjetri në Arabinë Saudite, ata janë jashtë skenave më të rëndësishme, duke i hapur rrugën gjeneratave më të reja. Në këtë mënyrë, pritet që çmimi t’i takojë Vini Jr., i cili shënoi një treshe këtë javë në Ligën e Kampionëve, por ishte zhgënjyes në ‘El Clasico’ ku Barcelona e mposhti Realin me rezultatin 4-0. Topi i artë për këtë lojtar do të ishte gjithashtu një mesazh i fortë kundër racizmit në stadiume, duke pasur parasysh ngjarjet e ndodhura ku ai ka qenë, fatkeqësisht, protagonist.
RIVALËT PËR TROFEUN…
Në listën e “rivalëve” të tij kryesorë për nesër nuk janë dy emra që gjithmonë janë konsideruar si fitues të mundshëm të Topit të Artë të së ardhmes, Kylian Mbappé dhe Erling Haaland, që nuk kanë qenë kurrë vërtet vendimtarë në sfidat e rëndësishme të periudhës së konsideruar. Ndërkohë, do të përpiqet të sfidojë Vinicius spanjolli Rodri, “mendja” e mesfushës së Manchester City dhe kombëtares së Spanjës që i çoi në fitore në Evropianin e fundit. Në podium pritet të ngjitet edhe Jude Bellingham, një prej pikave kyçe të Real Madrid dhe nënkampion i Evropës me Anglinë. Serie A pritet të përfaqësohet nga Lautaro Martinez. Pak dyshime ka për fituesin e Çmimit Kopa për lojtarin e ri më të mirë, që pritet të jetë talenti 17-vjeçar i Barcelonës, Lamine Yamal.
TOPI I ARTË PËR FEMRA
Në edicionin e tij të gjashtë, Topi i Artë për femrat ka gjasa të shkojë, si vitin e kaluar, për spanjollen Aitana Bonmati, e cila është favorite kryesore. Podiumi mund të jetë i gjitha me ngjyrat e Barcelonës, pasi dy pretendentet e tjera për çmimin janë dy shoqe të Bonmati, Alexia Putellas, fituese në vitin 2021 dhe 2022, dhe Salma Paralluelo. Gjithsesi, përveç ndonjë surprize të madhe, kjo do të jetë hera e katërt radhazi që Barcelona fiton çmimin, duke dëshmuar supremacinë e klubit katalanas në futbollin femëror botëror.