Tom Holland do të rikthehet javën që vjen në xhirimet e filmit të shumëpritur “Spider-Man: Brand New Day”, pas një dëmtimi që e çoi për trajtim në spital.
Sipas The Hollywood Reporter, 29-vjeçari pritet të rikthehet në set pas një pauze njëjavore që u vendos nga drejtuesit e Sony, pas një incidenti që ndodhi gjatë xhirimeve në Leavesden Studios, Watford, Angli. Holland raportohet se pësoi një tronditje të lehtë në kokë pas një rënieje gjatë një skene me aksion, sipas Daily Mail.
Megjithatë, burime pranë produksionit thanë se ndalimi i përkohshëm i xhirimeve nuk do të ndikojë në datën e planifikuar të publikimit të filmit, e cila mbetet 31 korrik 2026. Studio preferoi të ndalojë xhirimet për një javë sesa të vijojë pa aktorin kryesor.
“Spider-Man: Brand New Day” po xhirohet aktualisht në Glasgow të Skocisë që nga 1 gushti 2025. Ky projekt do të jetë filmi i katërt i Holland si Spider-Man në universin e Marvel, dhe do të ndjekë ngjarjet e “No Way Home” (2021).
Zendaya pritet të rikthehet në rolin e Michelle “MJ” Jones, partnerja dhe e dashura e Peter Parker. Në film do të shfaqen gjithashtu Mark Ruffalo (Hulk), Jacob Batalon (Ned Leeds), Jon Bernthal (Punisher) dhe Michael Mando (Scorpion).
Emra të rinj që pritet të bashkohen me kastin përfshijnë Sadie Sink (“Stranger Things”) dhe Liza Colón-Zayas (“The Bear”).