“Tokë për paqe”/ Ish-komandanti i NATO: Duhet modeli i Kosovës për luftën në Ukrainë

Marrëveshja e paqes për Ukrainën duhet të bazohet në mësimet nga Kosova. Kështu shkruan ish-komandanti i NATO-s, admirali në pension James Stavridis në një editorial të botuar në “Bloomberg”. Ai thotë se për të arritur një paqe të qëndrueshme, është e nevojshme që për Ukrainën të sigurohen garanci sigurie për detin, ajrin, tokën dhe hapësirën kibernetike.

Hapi i parë për të siguruar sigurinë e Ukrainës është mbrojtja e rrugëve tregtare përmes Detit të Zi. Stavridis thekson se Ukraina duhet të ketë garanci se flota ruse nuk do të pengojë eksportet e saj, veçanërisht për produktet bujqësore dhe potasin. Ukraina, ish-“hambari e bukës së Evropës”, varet shumë nga eksportet përmes portit të Odesës.

Propozimi parashikon një prani të përhershme të NATO-s në rajon, me një forcë detare që do të përfshinte shkatërrues, minahedhës dhe avionë me rreze të gjatë veprimi, siç janë amerikanet “P-8 Poseidon”. Kjo forcë mund të operojë nga bazat detare në Rumani, Bullgari dhe Turqi, duke siguruar që Ukraina të mund të vazhdojë të eksportojë mallra.

Siguria ajrore

Në ajër, masa më e rëndësishme strategjike do të ishte vendosja e një zone ndalim-fluturimi mbi Ukrainën. Kievi, me mbështetjen e aleatëve të tij dhe mbërritjen e F-16, mund të bashkëpunojë me forcat ajrore të NATO-s për të zbatuar këtë ndalim.

Baza e NATO-s në Ramstein të Gjermanisë mund të shërbejë si seli qendrore, me avionë luftarakë dhe avionë AWACS për të monitoruar hapësirën ajrore.
Siguria në tokë dhe prania e forcave ushtarake

Garancitë në tokë kërkojnë më shumë menaxhim politik, pasi Moska ka të ngjarë të kundërshtojë çdo mision ushtarak të NATO-s në Ukrainë. Megjithatë, prania e të paktën 10 000 trupave nga vendet e NATO-s, kryesisht nga vendet kufitare si Polonia dhe shtetet baltike, mund të jenë të nevojshme.

Këto forca mund të veprojnë nën një komandant të vetëm dhe të vendosen përgjatë kufirit të ri ruso-ukrainas.

Siguria kibernetike

Stavridis sugjeron gjithashtu forcimin e mbrojtjes kibernetike të Ukrainës, me ndihmën e fuqisë ushtarake amerikane nga Komanda Kibernetike e SHBA-së.

Ukraina ka zhvilluar aftësi mbrojtëse të luftës kibernetike, por ndihma shtesë mund të forcojë sigurinë e vendit nga sulmet kibernetike ruse, si dhe të sigurojë lidhjen e saj me hapësirën përmes sistemeve si Starlink.

Me këto garanci sigurie për detin, ajrin, tokën dhe hapësirën kibernetike, Ukraina mund të shqyrtojë sipas tij një marrëveshje “tokë për paqe”.

Pavarësisht pakënaqësisë me perspektivën e humbjes së territorit që ndodhet nën kontrollin rus, zhvillimet në fushën e betejës duket se e bëjnë këtë rezultat të pashmangshëm. E vetmja rrugë realiste për Perëndimin është të negociojë garanci të konsiderueshme, duke garantuar sigurinë dhe prosperitetin afatgjatë të Ukrainës. /Përgatiti LAPSI.al

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top