Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar sot një tjetër kërkesë të koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Bëhet fjalë për vendosjen e emrit të Sali Berishës në fletën e votimit si drejtues i koalicionit, duke lënë kështu në fuqi vendimin e KAS, që në fletën e votimit të jetë emri i Metës.
“Kolegji vendosi rrëzimin e kërkesë padisë. Shpenzimet gjyqësore sic janë bërë. Ky vendim është i formës së prerë dhe nuk lejohet ankim”, tha trupa gjykuese.
Kujtojmë se Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ankimoi në Kolegjin Zgjedhor vendimin e Komisionit të Ankimimeve dhe Ankesave, që vendosi që në fletën e votimit të jetë emri i kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Përfaqësuesi ligjor i koalicionit tha se me marrëveshje të brendshme mes subjekteve politike të koalicionit, është vendosur që në fletën e votimit të jetë emri i Berishës si drejtues i koalicionit.
Po sot Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, që kishte kërkuar që logot e partive të mos vihen krahas fletës së votimit për kryetarë bashkie.
Kolegji Zgjedhor e rrëzoi kërkesën, duke vendosur që logot e partive dhe/ose të koalicioneve do të qëndrojnë në fletën e votimit.